Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu në Salaminë të Greqisë ka marrë një kthesë tragjike, pasi gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve janë gjetur dy trupa të pajetë.
Dy viktimat dyshohet se janë një çift të moshuarish, të cilët mbetën të bllokuar në zonën e Peristerit, pranë vendit ku shpërtheu zjarri.
Situata është rënduar nga erërat e forta, të cilat kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Autoritetet kanë klasifikuar ditën si me rrezik shumë të lartë për zjarre, në Kategorinë 4.
Sipas të dhënave zyrtare, Qendra Operacionale e Zjarrfikësve u njoftua për zjarrin në orën 14:43, ndërsa brenda vetëm katër minutash, të favorizuara nga erërat e fuqishme, flakët u përhapën në mënyrë të pakontrolluar.
Aktualisht zjarrfikësit po përballen me dy fronte aktive. Më i rrezikshmi është ai në Peristeri, ku zjarri ka përfshirë fillimisht zonat pyjore dhe më pas është përhapur drejt banesave. Një front i dytë vijon në një tjetër zonë të Salaminës.
Përveç dy viktimave, tetë persona kanë pësuar djegie, ndërsa dy prej tyre janë transportuar për trajtim në spital.