Kremlini ka paralajmëruar se Lituania mund të bëhet objektiv i armëve bërthamore ruse nëse vendos armë të tilla në territorin e saj. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se në rast se armët bërthamore vendosen në Lituani dhe drejtohen ndaj Rusisë, Moska do ta konsideronte territorin lituanez si objektiv të armëve të saj bërthamore.
Peskov e cilësoi vendosjen e armëve bërthamore në Lituani si një përshkallëzim shumë serioz të tensioneve.
Sipas raporimeve nga mediat e huaja, parlamenti i Lituanisë po shqyrton aktualisht një amendament kushtetues që do të mundësonte heqjen e ndalimit për ruajtjen e armëve bërthamore në territorin e vendit.
Nisma synon forcimin e sigurisë së Lituanisë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe ka marrë mbështetjen e presidentit dhe partive kryesore politike.
Presidenti lituanez Gitanas Nauseda ka deklaruar se vendi synon të forcojë pjesëmarrjen në mekanizmat e parandalimit bërthamor të Perëndimit ndaj Rusisë, duke lënë të hapur mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në territorin lituanez. Megjithatë, autoritetet lituaneze kanë theksuar vazhdimisht se aktualisht nuk ekzistojnë plane konkrete për të strehuar armë të tilla në vend.