Ukraina po përgatitet për një dimër të vështirë, pasi sulmet e intensifikuara ruse ndaj infrastrukturës dhe sektorëve kryesorë të eksportit po thellojnë krizën buxhetore të vendit, thanë zyrtarët ukrainas të shtunën.
Ministri i Ekonomisë, Oleksandr Kravchenko, tha se dëmet ndaj infrastrukturës dhe aseteve fikse nga sulmet ajrore ruse këtë vit vlerësohen në rreth 10 miliardë dollarë.
Sipas tij, ndikimi më i gjerë ekonomik i sulmeve dhe bllokimit de facto të porteve ukrainase arrin në rreth 1.5 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), shkruan Reuters.
“Presim një dimër shumë të vështirë, si për shkak të infrastrukturës kritike, e cila po shkatërrohet çdo ditë nga sulmet ruse, ashtu edhe për shkak të kushteve të përgjithshme ekonomike në vend”, tha Kravchenko.
Ai theksoi se situata vjen në një kohë kur buxheti dhe hapësira fiskale e Ukrainës janë tejet të kufizuara.
Ndërkohë, ndërsa luftimet në vijën e frontit kanë mbetur kryesisht të bllokuara pas më shumë se katër vitesh luftë, Rusia dhe Ukraina po synojnë gjithnjë e më shumë rrjetet e logjistikës dhe asetet ekonomike të njëra-tjetrës, në përpjekje për të dobësuar kapacitetet e luftës.