Gjermani, babai dhe vajza 3-vjeçare humbin jetën në aksident, shoferi i kamioni largohet nga vendi i ngjarjes

Evropë

Gjermani, babai dhe vajza 3-vjeçare humbin jetën në aksident, shoferi i kamioni largohet nga vendi i ngjarjes

Më: 14 shtator 2026 Në ora: 11:52
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një aksident i rëndë trafiku në autostradën A3, pranë Emmerichut në Gjermani, i ka marrë jetën një 36-vjeçari dhe vajzës së tij trevjeçare.

Aksidenti ndodhi të hënën në mbrëmje, në drejtim të Këlnit. Sipas policisë, një kamion që po kalonte nga korsia e djathtë në të majtën dyshohet se nuk e ka parë një veturë “Golf”. Shoferi i veturës ka tentuar të shmangë përplasjen, por ka humbur kontrollin dhe vetura është përmbysur.

36-vjeçari humbi jetën si pasojë e aksidentit, ndërsa vajza e tij trevjeçare dhe partnerja 26-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, u plagosën rëndë. Vajza ka vdekur më vonë në spital, ndërsa 26-vjeçarja nuk ndodhet më në rrezik për jetën, shkruajnë mediat gjermane.

Policia dyshon se aksidentin e ka shkaktuar kamioni, drejtuesi i të cilit, edhe pse dyshohet se ka frenuar pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas dëshmitarëve, bëhet fjalë për një kamion me ngjyrë të errët dhe targa bullgare. Rimorkioja dyshohet se kishte targa holandeze dhe transportonte një kontejner të kuq.

Policia vijon kërkimet për kamionin dhe drejtuesin e tij, i cili ende nuk është gjetur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat