Anija “Wine Trader” u përfshi nga flakët pas një sulmi me dronë pranë grykëderdhjes së Danubit. Rumania dhe Bullgaria po shqyrtojnë mundësinë e aktivizimit të Nenit 4 të NATO-s për shkak të kërcënimeve në rritje ndaj sigurisë në rajon.
Shtatë nga 12 anëtarët e ekuipazhit të një anijeje cisternë për transportin e kimikateve rezultojnë të zhdukur, pasi anija u sulmua nga dronë dhe mori flakë të enjten pranë bregdetit të Rumanisë, në Detin e Zi.
Anija “Wine Trader”, e cila lundron nën flamurin e San Marinos, ndodhej rreth 24 kilometra në lindje të grykëderdhjes së Danubit, pranë qytetit Sulina, kur ekuipazhi raportoi shpërthime dhe zjarr, shkruan BBC.
Presidenti rumun, Nicușor Dan, konfirmoi se dronët goditën “Wine Trader”, si dhe një cisternë tjetër në zonë, “Yara J”, e cila ishte sulmuar një ditë më parë. Në momentin e sulmit, “Wine Trader” nuk transportonte ngarkesë.
Ndërkohë, Moska njoftoi se dy anije mallrash që transportonin pajisje ushtarake dhe po drejtoheshin drejt portit ukrainas të Odesës ishin goditur, por nuk bëri të ditur emrat e tyre.
Autoritetet rumune kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e shtatë anëtarëve të zhdukur të ekuipazhit. Në operacion janë angazhuar dy helikopterë “Black Hawk” dhe dy anije shpëtimi.
Sipas raportimeve të mediave rumune, anija po udhëtonte nga Tunizia drejt Rumanisë dhe rreth orës 07:00 raportoi disa shpërthime. Dëshmitarë nga ekuipazhet e anijeve të tjera në afërsi pretendojnë se “Wine Trader” u godit nga dy dronë.
Rumania dhe Bullgaria shqyrtojnë aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s
Sulmi ka ngritur shqetësime për sigurinë në rajonin e Detit të Zi, ndërsa udhëheqësit e Rumanisë dhe Bullgarisë pritet të diskutojnë nëse duhet të kërkojnë konsultime brenda NATO-s, përmes aktivizimit të Nenit 4 të Traktatit të Aleancës.
Ky nen u mundëson vendeve anëtare të kërkojnë konsultime me aleatët kur vlerësojnë se integriteti i tyre territorial, pavarësia politike apo siguria është e kërcënuar.
“Ne duam t’i kemi të gjitha informacionet se çfarë ka ndodhur, por shteti rumun do të reagojë”, deklaroi presidenti rumun, Nicușor Dan.
Ai pritet të takohet në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe presidentin bullgar, Rumen Radev, për të diskutuar mbi kërcënimet në rritje ndaj sigurisë në Detin e Zi.