Avionët luftarakë vetëm pjesërisht në gatishmëri

Evropë

Avionët luftarakë vetëm pjesërisht në gatishmëri

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 16:59
ilustrim

Prej vitesh Bundeswehri vuan nga mangësi në pajisje. Një raport aktual të bën pak optimist. Pritet që vitin e ardhshëm, buxheti i mbrojtjes të rritet në 37 miliardë euro.

Në ç'shkallë janë të gatshme për misione tanket, avionët dhe fregatat e ushtrisë gjermane, Bundeswehrit? Për këtë jep përgjigje një raport i detajuar, të cilin Inspektori i Përgjithshëm i ushtrisë gjermane, Volker Wiekel ia paraqiti Bundestagut. Me hollësi u analizuan 56 sisteme të armatimit të Bundeswehrit - me rezultate pjesërisht deziluzionuese.

Problemet më të mëdha Bundeswehrit vazhdojnë t'ia shkaktojnë edhe më tej avionët luftarakë dhe helikopterët. Një shembull është Eurofighter: në periudhën që analizon raporti nga janari në tetor 2016, të gatshëm për misione ishin vetëm gjysma e avionëve luftarakë Eurofighter të aviacionit ushtarak. Shkaku: mungesë pjesësh këmbimi dhe riparime që kërkojnë kohë.

Në misione në formë, në shtëpi jo

Edhe më e ulët ishte kjo kuotë te avionët Tornado, të cilët Bundeswehri i përdor edhe për fluturime zbulimi në luftë kundër milicisë terroriste të Shtetit Islamik. Tek Tornadot, gatishmëria për misione ishte mesatarisht 44 përqind. Një shkak janë edhe këtu mangësitë në pjesët e këmbimit. Më e ulët kjo kuotë është vetëm te helikopteri i transportit NH90: më pak se një e katërta e rezervës në dispozicion qenë të gatshme për misione.

Një pamje e ngjashme u paraqit edhe në raportet e viteve 2014 dhe 2015. Ushtria e një vendi të fortë ekonomikisht dhe të kërkuar në botë, në gjendje difektoze? Inspektori i Përgjithshëm qetëson: Bundeswehri ka materiale të mjaftueshme për misione jashtë vendit dhe mund t'i plotësojë të gjitha detyrimet në NATO. Por edhe në Gjermani ushtarët duhet të stërviten me sistemet e armëve dhe të ushtrohen me to, gjë që për shkak të mangësive nuk është gjithmonë e mundur. Gjithsesi: në rastin e automjeteve të blinduara, të tankeve dhe të anijeve luftarake fregata, gjendje është shumë më e mirë.

Më shumë para për ushtrinë gjermane

Çfarë bën ministrja e Mbrojtjes kundër kësaj gjendjeje të mjerueshme? Ka kohë që Ursula von der Leyen flet për një "bllokim gjigand modernizimi në Bundeswehr", të cilin ajo kërkon ta eleminojë. "Materialet e vjetra" duhet të zëvendësohen gradualisht me të reja. Për këtë synim, ministrja von der Leyen i ka marrë me mundim më shumë para ministrit të Financave: vitin e ardhshëm, buxheti i mbrojtjes do të rritet në 37 miliardë euro - këto janë 2,7 miliardë më shumë se këtë vit.

Në këtë mënyrë do të jenë në dispozicion jo vetëm më shumë para për personelin, për shembull për specialistët e teknikës informative, të nevojitur urgjentisht. Por edhe për blerjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve të armëve do të ketë më shumë para. Dhe në vitet e ardhshme, buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë do të rritet në mënyrë të vazhdueshme./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat