CSU-ja kërkon kompetenca të zgjeruara për policinë dhe shtimin e dëbimeve pas sulmit të Berlinit

Evropë

CSU-ja kërkon kompetenca të zgjeruara për policinë dhe shtimin e dëbimeve pas sulmit të Berlinit

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 11:02
Ilustrim

CSU-ja, partia simotër e partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, bëri thirrje për një zgjerim të rëndësishëm të kompetencave të policisë dhe agjencive të shërbimit sekret gjerman, pas sulmit terrorist të javës së kaluar në Berlin.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" njofton se Unioni Kristian-Social i Bavarisë (CSU), që është pjesë e koalicionit të madh gjithnjë e më të përçarë mes partisë së kancelares Merkel CDU dhe social-demokratëve (SPD), ka nxjerrë një projekt-rezolutë për një konferencë në janar në të cilën bën thirrje për rritjen e dëbimeve të njerëzve që konsiderohen si kërcënim për sigurinë.

Image

 

"Kushdo që kërcënon shtetin tonë e ka humbur të drejtën e tij për mikpritje", thuhet në dokumentin e CSU-së të titulluar "Siguri për lirinë tonë".

Nëse dikush konsiderohet si "rrezik publik" kjo duhet të shërbejë si bazë e mundshme për arrestimin e këtyre njerëzve dhe dëbimin e tyre nga Gjermania, shkruhet në projekt-rezolutën e CSU-së, sikurse njofton "Süddeutsche Zeitung".

Tuniziani Anis Amri, i dyshuar si autor i sulmit terrorist të javës së kaluar në Berlin, ku gjetën vdekjen 12 veta, mund të ishte një nga personat që sipas CSU-së duheshin klasifikuar si "rrezik publik".

Rritja e masave të kontrollit

Në rezolutën e CSU-së thuhet se periudha e paraburgimit për personat që pritet të dëbohen nga Gjermania duhet të rritet nga katër ditë në katër javë.

Image

Po ashtu kërkohet që agjencia e shërbimit të brendshëm sekret gjerman, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, duhet të lejohet që të hetojë edhe të dyshuar më të rinj se mosha 14 vjeçare dhe të luftojë përpjekjet për radikalizëm në radhët e të rinjve.

Në projektrezolutë bëhet po ashtu thirrje për një mbikyrje të gjerë të hapësirave publike në Gjermani me ndihmën e kamera televizive. Partia SPD dhe ajo opozitare e të Gjelbërve janë kundër përdorimit të kamerave sepse thonë se me to preken çështje të tilla si privatësia.

Po ashtu CDU-ja kërkon edhe që ekstremistët e dënuar të monitorohen gjithashtu  më gjerësisht duke përdorur vëzhgues elektronikë të vendosur në kyçin e këmbës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat