Turqi, dhjetëra të arrestuar pas sulmit në klubin e natës

Evropë

Turqi, dhjetëra të arrestuar pas sulmit në klubin e natës

Më: 4 janar 2017 Në ora: 12:04
I dyshuari per sulmin ne Stamboll

Policia turke arrestoi 27 persona në qytetin perëndimor të Izmirit, në lidhje me hetimin për sulmin e përgjakshëm në një klub nate në Stamboll.

Sipas medieve turke, të cilat transmetuan drejtpërdrejt një pjesë të arrestimeve, mes tyre ka edhe gra e fëmijë. Veç arrestimeve në Izmir, raportohet se 14 persona të tjerë janë ndaluar në lidhje me sulmin, pa specifikuar vendin, ndërsa dy u ndalën në aeroportin kryesor të Stambollit.

Autoritetet turke njoftuan se kanë arritur të identifkojnë agresorin e armatosur që vrau 39 persona, në sulmin e ditës së parë të Vitit të Ri, por nuk pranuan që të bëjnë publik emrin e tij. Hetuesit turq thanë gjithashtu se ai është ende në arrati dhe konsiderohet tejet i rrezikshëm.

Mësohet se, agresori vrau një polic dhe një civil në hyrje të klubit të natës “Reina”, e më pas hapi zjarr më armë automatike brenda tij, mbi turmën e njerëzve që festonin. Dëshmitarë okularë thanë se ai e mbushi armën e tij disa herë dhe se qëlloi edhe të plagosurit që gjendeshin të shtrirë në tokë.

Sulmi u mor përsipër nga Shteti Islamik, duke e cilësuar atë si hakmarrje për përfshirjen ushtarake turke në Siri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat