Gjermania rishikon ligjet e azilit

Evropë

Gjermania rishikon ligjet e azilit

Më: 6 janar 2017 Në ora: 17:38
Ministri i Zhvillimit Gerd Mueller

Gjermania duhet të rishikojë ligjet e azilit, pasi ka pranuar një numër rekord emigrantësh. Këtë pohim e bëri Ministri i Zhvillimit Gerd Mueller i cili po merrte pjesë në një mbledhje të partisë së tij konservatore CSU.

Sipas tij, rishikimi bëhet i nevojshëm në kushtet kur popullsia e kontinentit afrikan do të dyfishohet deri në vitin 2050 dhe në mungesë të një politike të njësuar për vendet e atij kontinenti.

Duke folur në fshatin e Seeonit në Bavari, Mueller tha se në kushtet kur Gjermania ende nuk i konsideron Marokun, Tunizinë dhe Algjerinë si vende të sigurta origjine, teorikisht një ndër dy afrikanë ka të drejtë për strehim në Gjermani, nëse vendos të shkojë atje.

“Kjo nuk mund të jetë zgjidhja. Ne duhet të nxisim nisma dhe investime private në Afrikë dhe duhet të krijojmë tregëti të drejtë me këto vende”.

Në nëntor, Mueller u bëri thirrje vendeve të tjera të zhvilluara që të mbështesin një plan që po finalizon Gjermania për të konsoliduar ekonomitë e Afrikës, për të hapur vende pune dhe për të ngadalësuar rrjedhën e imigrantëve nga ai kontinent në Evropë.

Në atë kohë, ministri gjerman tha se Gjermania do të nxirrte së shpejti detaje të një të ashtuquajturi “Plan Marshall për Afrikën”, duke bërë një paralelizëm me programin e suksesshëm të investimeve amerikane që e rigjallëroi ekonominë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.

Mueller komentoi gjithashtu lidhur me debatin për defektet e sigurisë pas sulmit në tregun e Krishtlindjes në Berlin në dhjetor.

Sipas një shefi rajonal të policisë, tuniziani që vrau 12 vetë me kamion, kishte përdorur 14 identitete të ndryshme në Gjermani. Ai kërkoi një hetim për të përcaktuar identitetet, përfshirë marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe kontrollet e sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat