Vuçiq takohet me Putinin disa ditë para zgjedhjeve në Serbi

Evropë

Vuçiq takohet me Putinin disa ditë para zgjedhjeve në Serbi

Më: 26 mars 2017 Në ora: 10:39
Pamje gjatë takimit Putin - Vuçiq më 26 nëntor 2016

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nesër në Moskë, derisa duket se ai po e forcon pozitën e tij para zgjedhjeve presidenciale në Serbi më 2 prill.

Në disa raporte të djeshme theksohej se Vuçiq do të përpiqet ta finalizoj marrëveshjen me Putinin, lidhur me dërgimin e gjashtë aeroplanë luftarakë të tipit MiG-29, disa ditë para votimeve për president.

Vuçiq, ish-ultranacionalist e tash reformues pro-evropan, po përpiqet të manovroj duke i mbajtur raportet e Serbisë me perëndimin, por njëherësh duke i përmirësuar lidhjet me aleatin shumëvjeçar, Rusinë.

Serbia kishte shprehur dëshirë për forcim të lidhjeve me NATO-n, derisa ende i përmirëson lidhjet ushtarake me Rusinë, dhe kjo gjë i ka shqetësuar fqinjët e saj, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Konsiderohet se Aleksandar Vuçiq, 46 vjeçar, është favorit për të fitur kundër opozitës së ndarë dhe ai po synon të fitoj numër të mjaftueshëm të votave për të mos pasur nevojë për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që eventualisht do të mbaheshin më 16 prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat