Hendeku mes të pasurve e të varfërve rrezikon stabilitetin

Evropë

Hendeku mes të pasurve e të varfërve rrezikon stabilitetin

Më: 24 prill 2017 Në ora: 07:55
ilustrim

Kritikat ndaj globalizimit duhet të merren seriozisht. Shumë vetë ndjehen të lënë pas nga zhvillimet globale e gjithnjë e më shumë janë të pushtuar nga ndjenja e padrejtësisë sociale. Ata nuk shohin avantazhet e globalizimit, por një hendek në rritje mes të pasurve e të varfërve. Nëse nuk ndërmarrim asgjë kundër këtij fenomeni, do të kemi një rritje të partive populiste e demagogëve, tha ministri gjerman i Financave, Schäuble në një konferencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington.

Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar kontinentit afrikan, kërkoi Schäuble, në mënyrë që njerëzit aty të përfitojnë nga frytet e globalizimit. „Nuk ka rrugë tjetër për këtë". Thellimi i bashkëpunimit me Afrikën është edhe një nga objektivat kryesorë të Gjermanisë, që kryeson presidencën e radhës së G20-s këtë vit.

Image

Potenciali ekziston

„Afrika ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe është e rëndësishme që ai të zhvillohet”, theksoi ministri gjerman i Financave. Por përshpejtimi i zhvillimit në këto vende mund të arrihet vetëm me ndihmën e zhvillimit nga jashtë. Iniciativa gjermane "Compact with Afrika”, sipas Schäubles, është një projekt afatgjatë që do të startojë me bashkëpunimin me pesë vende afrikane dhe mund të ndihmojë në lehtësimin e problemeve të sigurisë e migracionit.

Diferenca Gjermani- SHBA

Në konferencën e FMN-së nuk u diskutua vetëm marrëdhënia e vendeve të industrializuara me Afrikën, por edhe marrëdhëniet ekonomike mes vendeve të G20-s. Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin kërkoi nga Gjermania me fjalë të qarta që të reduktojë suficitet e eksportit. "Sipas nesh, suficite të larta eksporti, po ashtu si edhe deficitet, nuk i shërbejnë një sistemi të lirë e të drejtë të tregtisë”, tha Mnuchin.

Gjermania arriti një rekord të ri të eksporteve vitin e kaluar. Edhe drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde kërkoi që Gjermania t'i riinvestojë këto suficite. Kritika ndaj Gjermanisë vijnë edhe nga Franca.

Image

"Made in Germany" kërkohet

Schäuble e mbrojti politikën gjermane duke theksuar se produktet „Made in Germany" janë të kërkuara dhe mjaft konkurruese. Nga ana e saj Gjermania nuk e kritikoi hapur Uashingtonin me politikën proteksioniste. Schäuble u shpreh optimist, se në samitin e G20-s në korrik do të arrihet një qëndrim i përbashkët për politikën tregtare. FMN dhe Banka Botërore në konferencën e pranverës e theksuan disa herë qëndrimin mbrojtës ndaj tregtisë së lirë, por në deklaratën përfundimtare nuk u shënua fjalia refuzim „të çdo lloj proteksionizmi", siç gjendej në konferencën e vitit të kaluar në tetor. Edhe për mbrojtjen e klimës nuk u shënua asnjë fjali në deklaratën përfundimtare./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat