Davis: Britania nuk do të paguajë 100 miliardë euro për Brexit-in

Evropë

Davis: Britania nuk do të paguajë 100 miliardë euro për Brexit-in

Më: 3 maj 2017 Në ora: 13:27
David Davis

Ministri britanik, që është i ngarkuar me mbikëqyrjen e daljes së vendit nga Bashkimi Evropian, ka thënë se Britania nuk do të paguajë fakturën për Brexit në vlerë prej 100 miliardë euro.

David Davis i ka thënë një televizioni britanik se BE-ja nuk ishte në gjendje të vendoste në mënyrë arbitrare një shifër se sa do të jetë shuma përfundimtare që duhet paguar Britania për të dalë nga blloku.

Raportet e mëparshme kishin vlerësuar se pagesa do të ishte rreth 60 miliardë euro por Financial Times, ka thënë sot se kjo shumë është rritur pas kërkesave të shtuara të BE-së.

Davis ka thënë se Britania do t’i përmbushë obligimet ndërkombëtare por “ne nuk do të paguajmë 100 miliardë euro”.

Ndërkaq, negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier ka hedhur poshtë se kërkesat finaciare të bllokut për daljen e Britanisë ishin “dënim”, por ka paralajmëruar kundër “iluzionit” se Brexit do të ishte proces pa dhimbje.

Barnier i ka bërë thirrje Britanisë që të nisë bisedimet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Disa kanë krijuar iluzionin se Brexit nuk do të kishte ndikim financiar në jetën tonë apo se negociatat mund të përfundojnë shumë shpejt”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat