Sulmi në Mançester ka mundur të parandalohet: Anglezët ishin paralajmëruar pesë herë për Salman Abedi

Evropë

Sulmi në Mançester ka mundur të parandalohet: Anglezët ishin paralajmëruar pesë herë për Salman Abedi

Më: 26 maj 2017 Në ora: 10:26
Sulmi në Manchester

Kamikazi i “Manchester Arena”, Salman Abedi ishte denoncuar disa herë tek autoritetet e sigurisë për shkak të qëndrimeve ekstremiste, por askush nuk e kishte parandaluar të kryej njërin prej sulmeve më të përgjakshme terroriste në Britaninë e Madhe, shkruan e përditshmja angleze Telegraph.

Agjencia për luftën kundër terrorizmit është duke u përballur me një numër çështjesh, pasi është zbuluar se Salman Abedi u kishte thënë miqve të tij se “gjithçka është në rregull nëse jeni kamikaz”, deklaratë kjo që ishte raportuar përmes linjës telefonike tek agjencia qeveritare kundër terrorizmit.

Burime të “Telegraph” kanë bërë të ditur se autoritetet ishin paralajmëruar të paktën pesë herë, për rrezikun që ka mundur ta paraqesë Abedi gjatë pesë viteve të fundit.

Autoritetet gjithashtu ishin në dijeni se babai i Abedi ishte i lidhur me grupe të njohura radikale islamike në Libi, si dhe faktin që Abedi kishte lidhje me disa xhihadistë në Britani që janë të afërt me organizatën terroriste Shteti Islamik.

Mbrëmë janë arrestuar babai dhe vëllai i tij më i ri në Libi, derisa vëllai më i madh është arrestuar në Britani.

Telegraph ka biseduar me kreun e komunitetit libian në Mançester, ku kishte jetuar edhe Abedi, i cili tha se e kishte raportuar Salmanin tek autoritet dy vite më parë, pasi dyshonte se  “ai mund të ishte përfshirë në ekstremizëm dhe terrorizëm”.

“Shumë njerëz të komunitetit tonë ishin të shqetësuar se si sillej ai, dhe kështu e kishin lajmëruar përmes kanaleve të duhura. Që atëherë askush nuk i është përgjigjur thirrjeve tona”, ka deklaruar Mohammed Shafiq, kryetar i Fondacionit “Ramadhan”.

Dy prej shokëve të tij ishin të shqetësuar, dhe kështu i kishin telefonuar policisë qysh para pesë viteve dhe gjatë vitit të kaluar.

“Ata ishin të shqetësuar se ai përkrahte terrorizmin dhe se besonte që gjithçka është në rregull nëse jeni kamikaz”, ka deklaruar një burim për BBC.

Akram Ramadan, anëtarë i komunitetit libian në pjesën jugore të Mançesterit, ka deklaruar se Abedit i është ndaluar hyrja në xhaminë e Didsbury pasi ishte kacafytur me imamin i cili vazhdimisht kishte folur kundër ekstremizmit.

Edhe zyrtarët e xhamisë e kishte raportuar tek autoritetet, dhe prej atëherë ai ishte futur në listën e personave të vëzhguar nga organet e sigurisë.

Por ishin edhe disa anëtarë të familjes së Abedit që kishin kontaktuar policinë, duke u thënë se ai është i rrezikshëm, por duket se kjo nuk u kishte mjaftuar autoriteteve që të reagojnë. 

Image
Kamikazi i “Manchester Arena”, Salman Abedi
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat