Rreziku i terrorizmit nga e djathta e skajshme në Britani

Evropë

Rreziku i terrorizmit nga e djathta e skajshme në Britani

Më: 22 qershor 2017 Në ora: 18:39
Vetëm dy ditë më herët, në të njëjtën xhami, aktivisti Fiyaz Mughal paralajmëroi për rreziqet e sulmeve

Komunitetet myslimane në Britani po u kërkojnë autoriteteve që të bëjnë më shumë për të luftuar dhunën e ekstremistëve të së djathtës së skajshme, pas sulmit të së hënës para xhamisë në Finsbury Park të Londrës. Një person humbi jetën dhe të paktën 11 u plagosën kur i dyshuari, një 47 vjeçar i bardhë, goditi me makinën e tij një grup besimtarësh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga kryeqyteti britanik.

I dyshuari në sulmin para xhamisë, njoftohet se thërriti “vrisni gjithë myslimanët”, ndërsa ngiste makinën e tij mespërmes turmës.

Vetëm dy ditë më herët, në të njëjtën xhami, aktivisti Fiyaz Mughal paralajmëroi për rreziqet e sulmeve.

“Mendoj se qeveria ka qenë e ngadaltë në identifikimin e kërcënimit që vjen edhe nga këto burime, që vazhdimisht angazhohen në retorikë anti-myslimane, që në një farë mënyre krijon kushtet për dhunë të mundshme”.

Zoti Mughal themeloi organizatën “Tell Mama” që dokumenton dhe bën publike sulmet ndaj myslimanëve. Organizata thotë se krimet e urrejtjes kundër myslimanëve, përfshirë dhunën fizike, janë pesëfishuar që kur ndodhi sulmi terrorist islamist në Mançester muajin e kaluar.

“Ka pasoja sociale, dhe pa dyshim ka pasoja në shëndetin mendor dhe emocional, krijon mentalitetin ‘ata dhe ne’ që është shumë shqetësues dhe në disa raste i rrezikshëm, sepse ekstremistët e manipulojnë atë”.

Sulmi në xhaminë e Londrës ndodhi pothuajse një vit pasi një terrorist me pikëpamje të skajshme të djathta, vrau ligjvënësen britanike Jo Cox. Sipas njoftimeve të medias, numri i ekstremistëve të së djathtës së skajshme për të cilët është njoftuar në programin për paralajmërimin anti-terror, është rritur 30 për qind. Eksperti i anti-terrorizmit Paul Jackson foli me Zërin e Amerikës me Skype.

“Programi i parandalimit në Britani, është shumë i përqendruar tek përpjekjet kundër ekstremizmit islamik dhe po e përdor atë si një mënyrë për të frenuar të djathtën e skajshme dhe problemet që paraqet. Mendoj se kjo duhet rishikuar”.

Kritikët fajësojnë median dhe politikanët konservatorë për acarimin e tensioneve kundër komuniteteve myslimane.

“Unë mendoj se duhet të ketë një lidhje mes perspektivave më të gjera tradicionale që duket se po normalizojnë qëndrimet shumë të skajshme ndaj myslimanëve”.

Partia Laburiste në opozitë ka bërë thirrje për reformimin e programit qeveritar të parandalimit. Qeveria këmbëngul se është e angazhuar në luftën e çdo forme terrorizmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat