Samiti nën hijen e protestave dhe mosmarrëveshjeve

Evropë

Samiti nën hijen e protestave dhe mosmarrëveshjeve

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 09:18
Pamje të protestave në Hamburg, Gjermani

Në Hamburg të Gjermanisë fillon sot samiti i G20-ës, ku do të mblidhen liderët më të rëndësishëm në botë. Por gjendja paraqitet e rëndë.

Hamburgu këto ditë është në gjendje të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë natës së kaluar deri sot në orët e para të mëngjesit ka pasur konflikte mes demonstruesve dhe policisë. Policia ka përdorur topa uji, sprej dhe shkopinj për të ndalur demonstruesit agresivë që të shkojnë drejt sallave të panairit ku sot fillon zyrtarisht samiti i G20-ës. Nga ana tjetër, në veçanti rreth 1000 persona të maskuar në radhët e para, ishin shumë agresivë. Ata kanë hedhur kokteje molotov, gurë dhe gjëra të tjera në drejtim të policisë.

Incidentet serioze

Policia gjermane njëfoton për të paktën shtatë nëpunës të lënduar, për djegie të makinave dhe dëme të mëdha materiale por nuk ka viktima në njerëz. Ka pasur edhe shumë demonstrues të lënduar, por numri i tyre i sakt nuk dihet ende. Policia pohon se në protestën e madhe me titull "Welcome to the hell"  (Mirësevini në Ferr), kanë marrë pjesë rreth 12.000 kundërshtarë të samitit G20 dhe globalizimit. Protestat kanë vazhduar edhe sot në mëngjes, kur do të fillojë samiti i liderëve të 20 vendeve më të rëndësishme të botës. Për të siguruar këtë samit janë angazhuar sipas të dhënave zyrtare rreth 20,000 forca të sigurisë, 28 helikopterrë, 185 qenë të specializuar, 40 makina me topa uji, 3000 makina policore etjerë.

Përkundër masave të mëdha të sigurisë, organizatorët e protestave thonë se ata do të vazhdojnë me aksionet e tyre gjatë gjithë kohës, deri në përfundim të samitit, nesër në mbrëmje. Për këtë samit janë akredituar gati 5000 gazetarë nga 65 vende të ndryshme.

Image

Takimet më të rëndësishme

Samiti mbahet në kohërat më të vështira në disa dekadat e fundit, për shkak të luftërave të shumta, krizave dhe mosmarrëveshjeve mes vendeve më të mëdha në botë. Ndaj vet kancelarja Angela Merkel, si nikoqire e takimit, ka paralajmëruar se nga ky samit nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli apo ndonjë marrëveshje epokale.

Merkel mbrëmë është takuar edhe me presidentin amerikan Donald Trump, në përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa ndonjë sukses tepër të madh. Me vëmendje të madhe pritet edhe takimi Trump-Putin, që do të jetë takimi i parë i tyre zyrtar, pas zgjedhjes së Trumpit në postin e presidentit. Kohët e fundit janë shtuar mosmarrëveshjet verbale në relacionin Moskë - Uashington. Një takim shumë interesant do të jetë edhe ai Merkel - Erdogan, për shkak të dallimeve të mëdha mes pjesëmarrësve.

Tema të shumta

Ndër temat më të trajtuara në këtë samit do të jenë gjendja në Afrikë, tendosjet në raportet me Korenë e Veriut dhe mundësia e një lufte të re atje, lufta në Siri, lufta në Ukrainë, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtarë, refugjatët, dalja e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën etjerë.

[Deutschland Global Citizen Festival 2017 Hamburg Shakira und Chris Martin (picture-alliance/dpa/D. Reinhardt)]

Një problem serioz për këtë samit do të jetë presidenti i pa parashikueshëm amerikan Trump, i cili ka premtuar se ta mbështetë samitin e G20-ës. Por pritet që ai të vazhdojë me qëndrimet "America first", që do të thotë se do të kërkojë masa mbrojtëse të veçanta për vendin e tij.

Një natë para fillimit të smaiti në Hamburg është mbajtur edhe një koncert i madh, ku u paraqit  edhe Shakira dhe shumë këngëtarë të tjerë të njohur nga Gjermania dhe bota. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat