Pranë dhe larg: një qeveri e re e konservatorëve me socialdemokratët

Evropë

Pranë dhe larg: një qeveri e re e konservatorëve me socialdemokratët

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 10:52
Gjermani

A do të qeveriset Gjermania edhe katër vjet nga konservatorët e socialdemokratët? Kanë hyrë në një fazë vendimtare bisedimet për qeverinë e re. Një informacion nga Auron Dodi, si sfond për bisedën me TV News24.

Gjasat që Gjermania të qeveriset sërish nga një koalicion i madh qeveritar janë shtuar. Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier priti mbrëmë për një bisedë të parë kryetaren e CDU-së, Angela Merkel, kryetarin e CSU-së, Horst Seehofer dhe kryetarin e socialdemokratëve, Martin Schulz. Pas bisedës u bë e ditur se mes këtyre partive do të ketë biseda të tjera. Kryetari i Partisë socialdemokrate, Martin Schulz i deklaroi revistës "Der Spiegel" se SPD ka kushte për të hyrë në qeveri. Këtu bëjnë pjesë një politikë e përbashkët evropiane në fushën e tatimeve si dhe emërimi i një ministri të Financave të BE. Më tej ai kërkoi një politikë të përbashkët evropiane sociale si dhe standarde të njësuara në politikën ekonomike.

Këto nuk janë kërkesa të gatuara në kuzhinën ideologjike të socialdemokratëve gjermanë. Shumicën e këtyre kërkesave e ka diskutuar me kancelaren Merkel, njëkohësisht edhe kryetare e CDU-së, Presidenti francez Emannuel Macron. Gjermania është e interesuar që Macron-i të ketë sukses në reformimin e Francës e në këtë kuadër që pozita e tij në Bruksel të mos dobësohet. Në parim Merkeli është treguar e hapur për emërimin e një ministri të Financave të BE. Por mbetet të shihet se çfarë do të thonë në detaje propozime të tilla për Gjermaninë e paratë gjermane.

Kërkesat e Schulzit për politikën e brendshme pritet të ndezin debate. "Mjekësia me dy kategori duhet të marrë fund", deklaroi ai të premten. Reformën e gjerë të sistemit të përkujdesjes dhe të shëndetësisë ai e paraqiti si kusht për pjesëmarrje në qeveri.

Por kërkesa socialdemokrate për të futur një sigurim shëndetësor standard për të gjithë qytetarët, të njohur edhe si "Bürgerversicherung", duke eleminuar ndarjen aktuale në institute shtetërore dhe private të sigurimit shëndetësor ka kundërshtarë në shumë kampe. Mjekët do të kishin humbje në të ardhura. Jo së fundi nëpunësit civilë gjermanë, të cilët kanë paguar me vite kontribute të larta në institutet private të sigurimit, për të përfituar edhe pas daljes në pension nga këto shuma, e kundërshtojnë një hap të tillë.

Bisedime për qeverinë me fund të hapur

Që presidentit gjerman i duhet të ndërmjetësojë për bisedime mes CDU/CSU-së dhe SPD-së tregon se një koalicion i ri, mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, këtë herë nuk është i vetëkuptueshëm. Në fakt është rezultat i presionit të Presidentit, ruajtësit të kushtetutës, që këto dy parti po bisedojnë. Kushtetuta gjermane e Pasluftës së Dytë Botërore përmban një sërë barrierash, për ta mbrojtur Gjermaninë nga destabiliteti, si në parlament, ashtu edhe nga teprimet e pushtetit ekzekutiv. Ka një sërë instrumentash që imponojnë kërkimin e kompromisit dhe vështirësojnë përsëritjen e zgjedhjeve. Koalicioni nuk është i vetëkuptueshëm, sepse të dyja, si CDU/CSU, ashtu edhe SPD humbën shumë vota në zgjedhjet e shtatorit: nga gati 73 përqind të vendeve që kishin në parlament, tani kanë vetëm 53 përqind.

Varet në radhë të parë nga çmimi përfundimtar që do të kërkojnë socialdemokratët për të hyrë në qeveri nëse bisedimet për qeverinë e re do të kenë sukses. Ose e thënë ndryshe: nga ajo se deri në ç'masë do të pranojë të socialdemokratizohet politika e CDU/CSU-së.

Si opsion në tryezë para përsëritjes së zgjedhjeve është edhe mundësia e formimit të një qeverie minoriteti. Që CDU/CSU të formojë p.sh.koalicion qeveritar me të Gjelbrit , pa pasur shumicën në Bundestag. Një koalicion i pakicës, që të tolerohet nga socialdemokratët. 

Por CDU-ja është skeptike për qeverinë e minoritetit, që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Gjermani. E quan thjesht një zgjatje të pasigurisë. Ministrat gjermanë do të shkonin në Bruksel dhe nuk do të qenë në gjendje të premtonin gjë, sepse nuk do ta dinin, a do ta siguronin dot mbështetjen e Bundestagut, u shpreh nënkryetari i CDU-së, Armin Laschet. Megjithatë, krejtësisht ky opsion nuk përjashtohet.

Një koalicion i ri i madh nuk i entuziazmon gjermanët

Koalicioni i kaluar mes konservatorëve dhe socialdemokratëve e drejtoi mirë Gjermaninë, në botën e paqetë pas Brexitit dhe zgjedhjeve në SHBA. Për këtë janë dakord shumica e vëzhguesve. Por rezultati i zgjedhjeve parlamentare, me forcimin e periferisë, të partisë populiste AfD tregoi se me sa duket kjo shumë njerëzve nuk u mjafton.

[Berlin - Steinmeier lädt zu GroKo-Gesprächen ein - Merkel u Seehofer (picture alliance/dpa/B. von Jutrczenka)]

Stephan Grünewald, psikolog dhe vëzhgues i shoqërisë i tha DW se njerëzit në Gjermani kanë ndjesinë se në mesin e shoqërisë nuk ka më pozicione të dallueshme të partive. Gjithçka është bërë si brumë, pra pa formë e pa shije. Shumë ndihen pa orientim, të pafuqishëm. Dhe kjo çon në veprime radikale. Kjo sigurisht që nuk ka të bëjë vetëm me punën e partive. 

Por në Gjermani sipas Grünewald-it kemi tani një moment zgjimi, kur njerëzit duan të marrin pjesë, të angazhohen. Ata i përshëndesin partitë me profil të qartë. Në tandemin disavjeçar, CDU/CSU dhe SPD për disa njerëz i kanë humbur konturet.

Zgjedhje e reja - sa e madhe është mundësia?

Si mundësi mbajtja e zgjedhjeve të reja edhe tani ekziston. Por para saj, Kushtetuta gjermane kërkon që të konsumohen të gjitha mundësitë e tjera. Kancelarja Merkel nuk i preferon zgjedhjet e reja. "Njerëzit zgjodhën", ka deklaruar ajo. T'u thuash njerëzve tani që me këtë zgjedhje që bëtë ju, ne nuk bëjmë dot gjë, zgjidhni edhe njëherë, "kjo për mua është krejtësisht e gabuar", është shprehur Merkeli.

Njëkohësisht, si kancelarja, ashtu edhe kryetari i SPD luftojnë për mbijetesë politike. Angela Merkeli ka, veç vlerësimit për të si personalitet që stabilizon dhe që u tregon vendin despotëve të botës, përparësinë se si në pozitë, ashtu edhe në opozitë nuk ka konkurentë të mirëfilltë, të gjithë janë më të dobët se ajo. Pozita e kryetarit të socialdemokratëve Schulz, pas humbjes në zgjedhje dhe kalimi nga opsioni i opozitës, në atë të negociatave për qeverinë, shihet e lëkundur.

Me interes do të jetë të shihet mbështetja që do të marrë ai si kryetar në kongresin e SPD, javën e ardhshme. SPD-ja kërkon tani kohë për negociatat. Dhe çdo marrëveshje për qeverinë duhet ta miratojë një konventë e përbashkët e partisë. Se deri ku do të mjaftojë durimi i CDU/CSU-së, kjo mbetet të shihet. E lehtë nuk do të jetë, për asnjërën nga partitë e mëdha./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat