Në Ukrainë arrestohet ish-presidenti i Gjeorgjisë

Evropë

Në Ukrainë arrestohet ish-presidenti i Gjeorgjisë

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 13:25
Ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe ish-guvernatori i Odesës, Mikheil Saakashvili

Ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe ish-guvernatori i Odesës, Mikheil Saakashvili, u arrestua nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, në Kiev.

Zëdhënësja e këtij shërbimi, Olena Hitlyanska, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisja në apartamentin e Saakashvilit është kryer së bashku me hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Ajo nuk dha detaje për arsyen e bastisjes.

Bastisja u bë dy ditë pasi Lëvizja e Forcave të Reja e Saakashvilit ka organizuar një tubim masiv në Kiev, duke kërkuar shkarkimin e presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

Protestat fillimisht janë thirrur nga Saakashvili, dikur aleat i Poroshenkos, por atyre u janë bashkuar më pas shumë liderë të partive politike opozitare.

Nga viti 2004 deri më 2013, Saakashvili ka qenë president i Gjeorgjisë, ku tani kërkohet nën dyshimet se ka bërë përpjekje të organizojë grushtshtet, pasi ka dalë nga zyra. Saakashvili i mohon akuzat.

Në vitin 2015, ai është emëruar nga Poroshenko guvernator i rajonit Odesa dhe ka dorëzuar shtetësinë gjeorgjiane për të marrë postin.

Megjithatë, Saakashvili ka dhënë dorëheqje në nëntor, 2016, duke thënë se përpjekjet e tij për reforma janë bllokuar nga aleatët e Poroshenkos.

Saakashvilit më pas i është marrë shtetësia ukrainase nga Poroshenko - vendim të cilin Saakashvili e ka sfiduar në gjykatë.

Poroshenko tha se qëllimi i vërtetë i organizatorëve të protestave është të destabilizojnë Ukrainën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat