Koha e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian ka mbaruar, u shpreh sot në Tokio ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian duke e konfirmuar këtë realitet pranë sipërmarrjeve japoneze ku ai shpalosi potencialin e Francës.
”Në lidhje me kapacitetin tërheqës të Francës pas Brexit, pata rastin të takoj drejtues të biznesit japonez. Gjithçka është e qartë për ne, fillimisht prania e Britanisë së Madhe në BE ka përfunduar”, tha Le Drian gjatë një konference të mbajtur në ditën e fundit të një vizite katërditore në Japoni.
”Është e nevojshme që bizneset japoneze të marrin në konsideratë pasojat”, shtoi ai.
Bankat japoneze ishin ndër të parat që reaguan pas referendumit të qershorit 2016 për qëndrimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian.
Në korrik të 2017, Sumitomo Mitsui Financial Group njoftoi krijimin e një filiali bankar në Frankfurt për të përgatitur Brexit. Kryeqytetet e tjera evropiane si Parisi, Dublini apo Amsterdami kanë dyfishuar përpjekjet për të tërhequr pranë tyre bizneset e ngritura në Londër.