Merkel: Negociata të ashpra për koalicion

Evropë

Merkel: Negociata të ashpra për koalicion

Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 14:29
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, foto nga arkivi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se anëtarët e partisë së saj janë përballur me negociata të ashpra me Social Demokratët (SPD), derisa janë duke synuar formimin e qeverisë së re, transmeton Reuters.

Ende nuk është bërë e ditur se kur mund të mbyllen negociatat.

Më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve nacionale, ekonomia më e madhe e Evropës vazhdon të mos ketë qeverinë e re.

Të dyja kampet dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje deri në fund të ditës së sotme, mirëpo disa politikanë kanë deklaruar se ato mund të vazhdojnë edhe për dy ditë të tjera.

“Nuk mund t’iu them se sa mund të zgjasin, ne kemi bërë një punë të mirë dje, mirëpo ende kemi çështje të rëndësishme që duhet të zgjidhen”, ka thënë Merkel para se të nisnin negociatat.

Të dy palët kanë arritur marrëveshje për energji dhe bujqësi në ditën e shtunë, mirëpo ende janë duke diskutuar për kujdesin shëndetësor.

Merkel e cila përmes SPD-së synon të sigurojë mandatin e saj të katërt në zyrë ka shtuar se, “jam duke shkuar për të diskutuar me qëllime të mira, mirëpo po ashtu pres se do të përballemi me negociata të vështira”.

Lideri i SPD-së, Martin Schulz, ka thënë se të dy palët i kanë afruar mendimet në disa çështje mirëpo ende ka diskutime për tema të tjera siç është kujdesi shëndetësor dhe kontratat me afat të përcaktuar.

Partia e tij kërkon të largohen kontratat me afat të përcaktuar për punëtorët dhe që të zëvëndësohet sistemi publiko-privat me vetëm një sigurim shëndetësor për të gjithë.

Kujdesi shëndetësor dhe politika e tregut të punëtorëve janë shumë të rëndësishme për SPD-në, disa nga anëtarët e së cilës e kundërshtojnë partneritetin me kancelaren Merkel.

“Ne do të necociojmë në mënyrë shumë intensive për këto çështje sot dhe mendoj se marrëveshjet janë të mundshme, mirëpo ende nuk janë arritur”, ka thënë Schulz.

Konservatorët i kanë kundërshtuar kërkesat e SPD-së për reforma në sigurim shëndetësor dhe tani pritet që bisedimet të fokusohen në përmirësimin e kujdesit shëndetësor publik.

Ata kanë kundërshtuar edhe largimin e kontratave me afat të përcaktuar, mirëpo kanë premtuar se do të bëjnë kompromis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat