Incidenti me spiunin, Britania kërcënon fajtorët

Evropë

Incidenti me spiunin, Britania kërcënon fajtorët

Më: 6 mars 2018 Në ora: 23:47
Boris Johnson

Mbretëria e Bashkuar do të reagojë shumë fort, nëse gjendet ndonjë provë për përfshirjen ruse në përkeqësimin e skajshëm të gjendjes shëndetësore të ish-spiunit Sergei Skripal.

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se nuk po i drejtonte gishtin askujt, ndërsa përshkroi Rusinë si një forcë të ligë dhe problematike.

Ish-spiuni Sergei Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij Yulia, 33 vjeç, janë shtruar në spital në gjendje kritike, pasi u gjetën pa ndjenja në qytetin Salisbury.

Autoritetet thonë se ata patën kontakt me një substancë të panjohur, para se të ndiheshin keq. Para Parlamentit britanik, kryediplomati Johnson tha se incidenti i Skripalit kujton vrasjen e ish-spiunit tjetër, Aleksandër Litvinenko, në vitin 2006, po në Britani.

“Nuk dua të dëmtoj hetimin duke dhënë detaje, por nëse do të ketë prova se ka shtete të përfshira në incident, qeveria e Madhërisë së Saj do të reagojë fort dhe siç duhet. Iu them qeverive në të gjithë botën se asnjë përpjekje për të marrë jetë të pafajshme në tokën britanike nuk do të kalojë pa u ndëshkuar”, tha Boris Johnson.

Hetimi për incidentin në Salisbury është marrë përsipër nga policia antiterror. Ndërsa nuk shihet si një akt terrorist, spekulimet për përfshirjen ruse – që mohohet nga Moska, – kanë angazhuar njësi elitë të policisë.

Mediet britanike raportojnë se familjarët e Skripalit thonë se ai priste gjithnjë që shërbimi special rus ta gjente. Gruaja e tij, vëllai i madh dhe djali kanë vdekur gjatë dy viteve të fundit, e sipas familjes, rrethanat e vdekjeve të tyre janë mjaft misterioze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat