A është drejtësi bashkimi familjar? - Bota Sot
A është drejtësi bashkimi familjar?

Evropë

A është drejtësi bashkimi familjar?

Më: 14 prill 2018 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

GJED-ja forcon me një vendim të saj të drejtat e refugjatëve të mitur - por megjithatë vetëm sa ushqen një iluzion, mendon Alexander Haneke nga Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Gjykatësit e Luksemburgut vendosën sipas drejtësisë. Bëhet fjalë për një të re nga Eritrea, e cila erdhi në Holandë në moshën 17-vjeçare pa familjen e saj. Atje ajo paraqiti kërkesë për azil. Derisa u miratua kërkesa kaloi një farë kohe, vajza mbushi 18 vjeç - dhe për këtë arsye autoritetet holandeze i refuzuan asaj të sillte me vete prindërit, vëllezërit e motrat në Europë. Ky rregull vlen vetëm për të miturit, u tha në argumentimin e autoriteve dhe ajo nuk ishte më e mitur.

Ligji nuk varet nga shpejtësia e nëpunësve të shtetit

E reja nga Eritrea nuk donte të pajtohet me vendimin dhe iu drejtua një gjykate në Hagë, e cila e kaloi çështjen për gjykim tek Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED). Dhe kjo tha se vendimi i autoriteve holandeze nuk është vetëm në kundërshtim me sigurinë ligjore, por edhe me parimet e trajtimit të barabartë dhe të drejtësisë. Përndryshe e drejta për bashkim familjar do të varej thjesht nga sa mirë dhe shpejt punon një nëpunës. Rezultati: dy refugjatë të së njëjtës moshë, të cilët parashtrojnë kërkesë për azil në të njëjtën kohë, mund të trajtohen ndryshe varësisht nga kohëzgjatja e shqyrtimit të kërkesës.

Të gjitha këto janë argumente të arsyeshme dhe të kuptueshme. Edhe Gjermania duhet të përshtasë tani rregullat e saj. Deri tani bashkimi familjar me prindërit dhe vëllezërit dhe motrat lejohet për aq kohë sa refugjatët që jetojnë në Gjermani arrijnë moshën e pjekurisë. Disa refugjatë të rinj dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga vendimi i Luksemburgut.

E megjithatë me vendimin e saj GJED-ja vetëm sa ushqen një iluzion. Iluzionin se një politikë e drejtë ndaj refugjatëve është e mundur. Një vështrim esëll i realitetit na tregon një gjë të ndryshme: a është e drejtë që azil mund të përftojnë vetëm ata që janë në gjendje të paguajnë paratë për trafikantët kriminelë? A është e drejtë që një i ri nga lagjet e varfëra të Marokut, i cili nuk ka perspektivën më të vogël në atdheun e tij, nuk ka të drejtë të qëndrojë në Evropë, kurse një bashkëmoshatar i tij nga Kabuli po? Dhe a është e drejtë që familja e së resë nga Eritrea të marrë vizë vetëm për shkak se ajo arriti ta dërgonte vajzën shpejt në Evropë, kurse familja e një bashkëmoshatareje të saj nga Eritrea, e cila mund të jetë vonuar diku rrugës për disa javë, jo? Kjo është dilema e politikës së refugjatëve. E vërteta është: ajo nuk mund të zgjidhet.

Gjykimi njerëzor krijon padrejtësi të reja

GJED-ja e mori lehtë - në këtë rast individual që kishte për të gjykuar ajo vendosi në favor të drejtësisë. Kjo është njerëzore dhe e kuptueshme, ashtu si çdo vendim në favor të refugjatëve. Por gjykatësit kanë krijuar përsëri padrejtësi të reja. Dhe ata nuk kanë vendosur në kuptimin e ligjit. Sepse ligji thotë se të miturit mund të tërheqin prindërit dhe vëllezërit e motrat e tyre, sepse janë të mitur. Nëse ata nuk janë më të mitur, ata duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si të gjithë refugjatët e tjerë të së njëjtës moshë - pra si të rritur./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test