Macroni në udhëkryq për agjendën e tij reformuese

Evropë

Macroni në udhëkryq për agjendën e tij reformuese

Më: 7 maj 2018 Në ora: 13:18
Emmanuel Macron

Një vit më parë, Emmanuel Macron u zgjodh President i Francës. Si reformator u prezantua 40 vjeçari në fushatën elektorale. Tani ai ndodhet në udhëkryq, thotë politologu Emiliano Grossman.

DW: Zoti Grossman, në botën e jashtme raportohet shpesh për udhëheqjen franceze, që nis një reformë pas tjetrës e edhe për rezistenca, siç është greva e hekurudhave që zgjat prej javësh. Si e gjykojnë francezët gjendjen?

Emiliano Grossman: Macroni erdhi në pushtet me lëvdata të mëdha paraprake dhe ende mbështetet në to. Kjo do të thotë: ai vazhdon të duket shumë dinamik, shumë efikas dhe pa dyshim që me fitoren e tij në zgjedhje ai e kapërceu krejt papritur gjithë establishmentin politik. Por ekzistojnë edhe shenjat e para të një lodhjeje nga reformat; vlerat e mbështetjes të njerëzve për të javët e shkuara kanë rënë në mënyrë drastike. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me grevat e punonjësve të hekurudhave, që zgjasin prej javësh, por ka edhe një efekt "Sarkozy". Edhe Nicolas Sarkozy e nisi presidencën me një ujëvarë projektesh reformuese - por çdo muaj që kalonte për të bëhej më e vështirë që edhe t'i vinte në jetë këto reforma.

Besoj se Macroni ndodhet sot në udhëkryq. A do të bëhet edhe ai njëri nga këta presidentë francezë, që e nisin gjithmonë me ambicie të madhe, dhe bëhen pastaj shumë, shumë të padashur, apo do t'ia dalë mbanë që ta kapërcejë këtë moment kritik dhe ta imponojë agjendën e tij reformuese?

Nga cilat faktorë varet kjo për mendimin tuaj?

Kjo do të varet shumë nga fakti nëse reformat e tij do të sjellin rezultate. Aktualisht gjendja ekonomike e Francës është më e mirë se një, dy vjet më parë, por është e vështirë që Macroni ta quajë këtë rezultat të punës së tij. E rëndësishme për të do të ishte një përmirësim i qendrueshëm i gjendjes ekonomike, rritje në sektorë kritikë dhe para së gjithash që firmat të krijojnë vende të reja pune.

Image
Emiliano Grossman

Por ka edhe një faktor që ndoshta nuk vihet re shumë në botën e jashtme. Macroni duhet ta ndahet nga imazhi i një "presidenti për të pasurit". Ai e ka nisur me reforma që përmirësuan në mënyrë shumë të qartë gjendjen e të pasurve dhe të super të pasurve. Aktualisht për shembull bëhet fjalë që të hiqet e ashtuquajtura "Exit Tax". Një taksë që e ka futur qeveria konservatore e Sarkozisë, për t'ua vështirësuar të pasurve që kursimet nga taksat t'i transferojnë jashtë vendit. Kjo taksë nuk qe tepër e suksesshme, por për Macronin heqja e saj simbolikisht është problem.

Francezët konsiderohen si antireformatorë, por në shumë fusha populli dëshiron ndryshime - a përputhet kjo me agjendën e Presidentit?

Macronin e kanë zgjedhur edhe sepse ai kishte një agjendë radikale reformatore. Unë besoj se asnjë president tjetër në 10-15 vitet e fundit nuk e ka nisur mandatin me një kapital të tillë miratimesh. Prandaj situata është pak më e ndryshme se tek parardhësit e tij Hollande dhe Sarkozy. Lodhja nga reformat ose aversioni ndaj reformave në Francë sot ndoshta është më i ulët se disa vjet më parë. Por Macroni duhet ta shfrytëzojë këtë rast për të bërë reforma dhe për t'i shitur mirë reformat.

Këtë me sa duket ai e arrin vetëm pjesërisht. 56 përqind e francezëve sipas sondazheve janë të pakënaqur me Presidentin. A pritej kjo?

Mendoj se kemi të bëjmë me një problem strukturor të sistemit politik në Francë, i cili është tepër i personalizuar, sa që me Presidentin lidhen shumë shpresa. Ky sistem u ngrit në vitet 1950, për ta ruajtur Francën nga lufta civile. Kjo edhe funksionoi, me forcën tërheqëse të themeluesit të Republikës, Charles de Gaulle. Por asnjëri nga pasardhësit nuk ka personalitetin e De Gaulle-t dhe prandaj rënia e vlerave të preferencës në rastin e presidentëve të ri është praktikisht sistemore.

A mendoni që Macroni do të hyjë si reformator i madh në histori?

Shumë sinqerisht: është ende shumë herët për të dhënë një gjykim.

Emiliano Grossman është politolog në shkollën e lartë elitare Sciences Po në Paris.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat