Rusia dhe Gjermania bëjnë thirrje për ruajtjen e paktit bërthamor

Evropë

Rusia dhe Gjermania bëjnë thirrje për ruajtjen e paktit bërthamor

Më: 10 maj 2018 Në ora: 19:14
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov

Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Gjermanisë thonë se janë duke punuar për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Iranin, pasi presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje dhe tha se do të rivendosë sanksione ndaj Teheranit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke folur në Moskë pas takimit me homologun gjerman Heiko Maas, tha se është e rëndësishme që sanksionet e reja amerikane të mos shkatërrojnë marrëveshjen e vitit 2015 në mes të Teheranit dhe fuqive botërore.

“Pa asnjë dyshim, ne do të sigurohemi se kjo nuk do ta shkatërrojë marrëveshjen. Ky është objektivi ynë i përbashkët”, tha Lavrov në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij gjerman.

Marrëveshja bërthamore i mundëson Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Lavrov shtoi se Rusia, Gjermania, Kina, Britania dhe Franca – shtetet nënshkruese të marrëveshjes me Iranin – duhet të punojnë për të “mundësuar ruajtjen e këtij dokumenti të rëndësishëm për stabilitetin rajonal”.

Ndërkaq, kryediplomati gjerman, Maas tha se është e rëndësishme që Irani t’iu përmbahet obligimeve që dalin nga marrëveshja, pavarësisht vendimit të Trumpit për të vendosur sanksione të reja mbi Teheranin, duke bërë thirrje që Rusia të përdorë ndikimin e saj ndaj Iranit, që ky i fundit të respektojë marrëveshjen.

“Është e rëndësishme që Irani të qëndrojë në marrëveshje. Është në interesin e Iranit po ashtu, që kjo marrëveshje të vazhdojë”, tha Maas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat