Koment: Iluzionet gjermane rreth Putinit dhe Rusisë - Bota Sot
Koment: Iluzionet gjermane rreth Putinit dhe Rusisë

Evropë

E martë, 23 tetor 2018

Koment: Iluzionet gjermane rreth Putinit dhe Rusisë

Më: 18 maj 2018 Në ora: 20:32
Merkel dhe Putin

Do të ishte naive të besonim se Rusia e Putinit është një partner më i mirë sesa SHBA-ja e Trumpit, mendon Ingo Mannteufel.

Kur kancelarja gjermane Angela Merkel të takohet të premten (19.05) me presidentin rus Vladimir Putin në Soçi, "Java e Rusisë" e politikës së jashtme gjermane do të arrijë kulmin. Sepse ditët e fundit ishin në Moskë për të diskutuar me homologët e tyre rusë për çështjet qendrore të politikës ndërkombëtare dhe evropiane ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas dhe ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier. Ky shkëmbim intensiv diplomatik po i sjell marrëdhëniet gjermano-ruse sërish në vëmendjen e publikut gjerman, sidomos pasi veprimet e njëanshme në politikën e jashtme të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, e vënë në një provë të ashpër miqësinë transatlantike të gjermanëve. Nuk është për t'u habitur pra kur zërat politikë në Gjermani flasin për një afrim me Rusinë dhe ekuilbër me Moskën.

Nuk ka kohë për zbutje

Por kushdo që këmbëngul për zbutjen e njëanëshme të sanksioneve ekonomike ose për kompromise të tjera të kalbura, bën një gabim të rëndë. Jo vetëm sepse kjo politikë zbutjeje në Moskë do të interpretohej vetëm si dobësi. Përkundrazi, ende shumë vetë nuk e kanë shumë të qartë që Putini ka nevojë për konfrontimin me Perëndimin për të siguruar fuqinë e tij të brendshme në mënyrë që t'i tërheqë vëmendjen popullit rus nga stanjacioni ekonomik i Rusisë dhe problemet sociale. Prandaj është naive të besosh se me Putinin do të arrihet një marrëveshje për Ukrainën. Ose madje që me të mund të bisedohet për një rend të ri evropian paqeje. A i ka minuar këto me politikën e tij të jashtme agresive ndaj Ukrainës, por gjithashtu edhe me përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet perëndimore apo sulmet kibernetike kundër institucioneve gjermane.

Image
Ingo Mannteufel

Nëse Rusia e Putinit - jo Rusia në përgjithësi - është veçanërisht në këto kohë partneri i duhur për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve energjetike gjermano-ruse, kjo mund të vihet në dyshim. Sidoqoftë, duhet të sigurohet që tubacioni i planifikuar i gazit natyror Nord Stream 2 që do të kalojë përmes Detit Baltik të mos bjerë në kundërshtim me interesin evropian për stabilizimin ekonomik dhe politik të Ukrainës. Prandaj, është e vërtetë që ministri i Ekonomisë Altmaier po mendon për garanci nga Moska që Ukraina nuk duhet të pësojë humbje prej tarifave të tranzitit përmes Nord Stream 2. Por detaje të tilla duhet të jenë pjesë e një strategjie më të madhe dhe më afatgjatë për Rusinë.

Jo marrëveshje e shpejtë

Para së gjithash, politika gjermane ndaj Rusisë ka nevojë për ta kuptuar se në marrëdhëniet me Putinin është i nevojshëm një durim i gjatë dhe se me Moskën nuk do të ketë marrëveshje të shpejtë. Për aq kohë sa Kremlini të vazhdojë politikën e tij agresive ndaj Ukrainës (dhe ai do ta vazhdojë këtë, sepse ajo është pjesë e sistemit të brendshëm të pushtetit të Putinit), sanksionet duhet të vazhdojnë. Edhe një heqje graduale e sanksioneve do të ishte sinjal i gabuar. Politika e jashtme gjermane duhet të respektoj parimet e rendit evropian të paqes të rrënuara nga Moska.

Së dyti, është e rëndësishme që të rritet ndjeshëm aftësia gjermane dhe evropiane e mbrojtjes, si në kuptimin tradicional ashtu edhe kundër rreziqeve të reja të luftës hibride kibernetike. Dhe së treti, duhet që ndaj  Moskës - në gjuhë diplomatike përdoren eufemizmi i "partnerit" - të ndiqet një politikë pragmatike shkëmbimesh për çështje të caktuara ndërkombëtare, si marrëveshja bërthamore me Iranin, në mënyrë që të zbatohen interesat vetiake të politikës së jashtme.

E domosdoshme një strategji dyfishe

Megjithatë kjo strategji diplomatike ndaj Rusisë duhet të mbështetet nga dy elemente të tjerë të rëndësishëm: së pari, politika perëndimore nuk duhet të jetë kurrë shumë e nxituar dhe histerike për t'iu përgjigjur provokimeve nga Moska. Në fund të fundit, nga kjo përfiton vetëm Kremlini, ndërkohë që vuan besueshmëria vetiake. Pas sulmit ndaj agjentit të dyfishtë Sergei Skripal, kryeministrja britanike May tregoi se si gjërat nuk duhen bërë. Sepse kështu Rusia vetëm përforcon imazhin e instrumentalizuar nga Kremlini për armikun "Perëndim".

Nga ana tjetër, Gjermania dhe Evropa duhet të jenë më të hapura ndaj shoqërisë ruse. Ajo që nevojitet është një dialog gjithëpërfshirës me të gjitha forcat dhe grupet politike në Rusi - duke përfshirë edhe forcat nacionaliste, patriotike dhe konservatore. Me një ton të matur dhe njohjen e parimeve idividuale mund të arrihet të kapërcehet përmes dialogut tjetërsimi midis gjermanëve dhe rusëve./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test