Qeveria euroskeptike italiane, sfida më e madhe e BE-së pas “Brexit”

Evropë

Qeveria euroskeptike italiane, sfida më e madhe e BE-së pas “Brexit”

Më: 19 maj 2018 Në ora: 07:10
Foto ilustrim

Makthi i Brukselit, një qeveri euroskeptike në krye të ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës, me shumë gjasë do të bëhet realitet javën që vjen.

Udhëheqësit e lëvizjes populiste “antiestablishment”, “5 yjet” dhe ata të “Lega Nord”-it të ekstremit të djathtë po i bëjnë rregullimet e fundit marrëveshjes së koalicionit, të cilën janë zotuar t’ia paraqesin presidentit Sergio Mattarella të hënën.

Një ditë më parë, Luigi di Maio doli nga takimi me Matteo Salvinin duke thënë se kanë mbetur ende disa detaje të vogla për rakordim, e një prej tyre është se cili ka për të qenë kryeministri i ardhshëm i vendit.

“Politico” mendon se një qeveri “5 yjet-Lega” ka për të qenë sfida më e madhe për Brukselin që prej referendumit të shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Europian.

Marrëveshja e koalicionit përmban propozime për rinegociimin e borxhit publik të Italisë, kërkon të heqë qafe zgjedhen e politikave të kursimit e të rihapë fletët e traktateve të BE-së për të reduktuar fuqinë e bllokut.

Ajo nënvizon po ashtu se, Rusia “nuk përbën një kërcënim ushtarak”. Një ekzekutiv i tillë, me shumë gjasë do të përbënte edhe një pengesë në rrugën e planeve ambicioze të presidentit francez, Emmanuel Macron, për reformimin e Eurozonës.

Deri tani diskutohet gjerësisht që postin e kryeministrit ta marrë “Lëvzja 5 yjet”, e cila rezultoi forca e vetme më e madhe politike nga zgjedhjet e 4 marsit, ndërsa “Lega” pretendon Ministrinë e fuqishme të Brendshme, të njohur ndryshe si “Viminale”, drejtimin e së cilës e synon Salvini vet.

Me një qeveri të tillë, Italinë e presin ndryshime jo të vogla. Programi i përbashkët përmban shkurtime taksash, ndihmë më të madhe sociale për të papunët, rregullime të reformës së pensioneve, një nismë të fortë kundër evazionit fiskal dhe reduktimin e një pjese të shpenzimeve qeveritare.

Për sa i përket emigracionit, marrëveshja parasheh ndalimin e emigrantëve të parregullt në vend dhe dërgimin e rreth gjysmëmilioni mbrapa në vendet e tyre të origjinës, midis masave të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat