Skandali i azilantëve në Gjermani, 18 mijë pranime do të verifikohen sërish

Evropë

Skandali i azilantëve në Gjermani, 18 mijë pranime do të verifikohen sërish

Më: 31 maj 2018 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Thellohet skandali me aprovimet e kërkesave për azil të aprovuara në mënyrë të jashtëligjshme nga Zyra Federale për Refugjatët dhe Emigrantët në Gjermani. Ministria e Brendshme në këtë vend do të rishikojë 18 mijë aplikimet e pranuara nga Zyra Rajonale e Bremenit. Drejtuesit e saj janë vënë në qendër të skandalit të madh, pasi muajin e kaluar u konstatuan parregullsi në të paktën 1 200 kërkesa të pranuara për azil.

Bëhet fjalë për aplikime të bëra nga azilkërkues që hynë në Gjermani me valët masive të refugjatëve dhe emigrantëve të viteve 2013-2016. Ekspertët e Ministrisë së Brendshme gjermane dyshojnë se në skandal janë përfshirë 70 punonjës të zyrës së Bremenit.

Në këmbim të ryshfetit, ata mësohet se kanë manipuluar të dhënat e azilkërkuesve që nuk i plotësonin kushtet. Shumë azilkërkues nga vende që konsiderohen të sigurta janë paraqitur si sirianë me dokumente të falsifikuar, për të përfituar strehim në Gjermani.

Mbi 80 mijë aplikime janë ende në shqyrtim. Skandali çoi në dorëheqjen e drejtueses së zyrës së Bremenit. Ndërsa Ministri i Brendshëm Horst Zehofer, kundërshtar i hershëm i politikës së dyerve të hapura për refugjatët të aleates së tij politike, kancelares Merkel, tha se do i shkojë deri në fund zbulimit të abuzimeve me statuset e azilantëve në të gjithë Gjermaninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat