Brukseli do të mbajë qëndrim ndaj SHBA-së

Evropë

Brukseli do të mbajë qëndrim ndaj SHBA-së

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 10:06
Ilustrim

Komisioni Europian do të reagojë me kundërmasa ndaj doganave amerikane. Një koncept i posaçëm për këtë është gati. Ka mjaft politikanë në BE që janë gati për t'u përplasur me SHBA.

"Një ditë e keqe për tregtinë botërore, kështu e komenton presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker vendimin amerikan të bërë publik nga ministri i Tregtisë, Wilbur Ross për dogana ndëshkuese për çelikun dhe aluminin (25% për çelikun dhe 10% për aluminin) për BE. SHBA nuk i le BE-së zgjidhje tjetër, shkruan Juncker në twitter, veçse të hapë një procedurë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Brukseli përgatit kundërmasa

Për Brukselin politik, rrjedha e konfliktit tregtar transatlantik është një zhgënjim i thellë. Por habi nuk tregon askush. Që në ditët e fundit ky zhvillim po bëhej gjithnjë e më i qartë. Ishte komisarja e BE-së për Tregtinë, Cecilia Malmström së fundmi që u largua nga Parisi pa sukses, kur së bashku me ministrin gjerman të Ekonomisë, Peter Altmeier, homologun francez Bruno Le Maire, dhe atë amerikan, Wilbur Ross bëri përpjekje për një kompromis.

Image
Cecilia Malmström

Tani BE do të reagojë me kundërmasa, si ato të parashikuara në rregulloret e Organizatës Botërore të Tregtisë. Komisarja e BE-së për Tregtinë ka mbështetjen e plotë të deputetëve europianë për të iniciuar kundërmasat e "diskutuara gjatë", thekson Daniel Caspary, kreu i grupit konservator, CDU/CSU në Parlamentin Europian. Me këtë nënkuptohet lista me produkte amerikane që BE ka bërë gati për çdo rast konflikti tregtar. Nga mesi i qershorit do të bëhen efektive kundërmasat europiane. Me këtë Europa respekton rregulloren e OBT për 30 ditë detyrim informimi. Kjo organizatë e ka ndërkohë një letër 10 faqëshe mbi tavolinë.

Trump shkel të drejtën ndërkombëtare

Me ofensivë diplomatike BE u përpoq në pranverë për mënjanimin e konfliktit. Në mars Trump dha pak kohë për qetësim. BE ka mbetur e bashkuar kundrejt SHBA deri më tani.

Kreu i Komisionit Tregtar në Parlamentin Europian, Bernd Lange (SPD) është shprehur i zemëruar se doganat ndëshkuese shkelin të drejtën ndërkombëtare. Këto "dogana izolimi" të kujtojnë "perëndimin e egër" -wild west- tha parlamentari socialdemokrat por "ky është vetëm për kinema dhe jo më për politikë tregtare."

Edhe Të Gjelbrit europianë reagojnë me kritika. Reinhard Bütikofer, zëdhënës për marrëdhëniet transatlantike në Parlamentin Europian kërkon që BE të mos përkulet para SHBA. "Këtë nuk duhet ta pranojë BE, ajo duhet të mbrohet."

Duhet unitet në Europë

Para vështirësive në marrëdhëniet transatlantike, Bütikofer paralajmëron se asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq i rëndësishëm uniteti europian. "Goditje anësore, pavarësisht nga cili kryeqytet europian nuk duhet të ketë tani." Nga KE vjen kritika, se me qëndrimet e tyre të ndryshme vendet anëtarë minojnë politikën e BE-së. Por pikërisht BE ka një mandat të fortë në çështjet tregtare.

Image
Reinhard Bütikofer

Mosujdia mes Berlinit dhe Parisit në çështjen e konfliktit tregtar me SHBA u bë e qartë së fundmi. Të dyja qeveritë nuk ishin dakord, për çështjen, se sa shpejt duhet të reagonte BE në rast serioz dhe sa e gjerë duhet të ishte oferta europiane për administratën amerikane.

Thirrje për përmbajtje

Por jo vetëm Brukseli reagoi i shqetësuar. Edhe përfaqësia e vazhdueshme amerikane në Bruksel, Dhoma Amerikane e Tregtisë në BE (AmChamEU) është shprehur përmes zëdhënëses, Susan Danger, se zhvillimi i fundit rrezikon marrëdhëniet amerikano-europiane. Ajo bëri u thirrje të dyja palëve për përmbajtje. SHBA dhe Europa duhet të zgjidhin së bashku problemin e mbikapaciteteve si rrënja e konfliktit.

Europa nuk është kundër kësaj. Por me kundërmasat europiane, si dogana ndëshkuese për gjalpin e kikirikut, uiskin dhe motorat Harley-Davidson SHBA duhet të llogarisë që para korrikut të këtij viti. Të paktën këtu europianët janë të një mendimi./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat