BE, presion Ukrainës për reforma të thella

Evropë

BE, presion Ukrainës për reforma të thella

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 21:23
Bashkimi Evropian ra dakord t’i ofrojë Ukrainës një paketë ndihmash financiare me vlerë 1.2 miliardë dollarë në shkëmbim për reforma të thella në politikat e brendshme.

Korrupsioni si dhe konflikti me kryengritësit e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës do të jenë në krye që axhendës së takimit të BE-së me përfaqësuesit e Ukrainës të hënën e ardhshme në Bruksel. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell, BE-ja po i bën presion Kievit të kryejë reforma më të thella, por ndeshet ndërkaq edhe me zhgënjim në popullatën ukrainase lidhur me perceptimin për përfitimet që sjell lidhja e ngushtë me Bashkimin Evropian:

Një falkua prej kristali me vlerë 46 mijë dollarë dhe një BMW fuori-serio me vlerë 300 mijë dollarë janë disa nga objektet e ekspozuara në Kiev si pjesë e “Parkut Anti-Korrupsion”. Ekspozita u organizua me fonde të Bashkimit Evropian për të treguar koston e korrupsionit tek qeveria dhe popullata.

"Shumë njerëz revoltohen sepse e kuptojnë sa përmasa të mëdha ka marrë korrupsioni,” thotë Volodymyr, zëdhënës i nismës.

Korrupsioni do të jetë një ndër temat kryesore në axhendën e bisedimeve.

Në maj, Bashkimi Evropian ra dakord t’i ofrojë Ukrainës një paketë ndihmash financiare me vlerë 1.2 miliardë dollarë në shkëmbim për reforma të thella në politikat e brendshme.

“Ekziston Byroja Kombëtare Anti-Korrupsion. Ky institucion është plotësisht i shkëputur nga policia e korruptuar. Byroja mund të bëjë punë të mirë pasi është e pavarur. Por ajo nuk mund të arrestojë të korruptuarit nëse nuk realizohet reformimi i gjyqësorit. Byroja kryen detyrën, por gjykatat i lirojnë këta keqbërës,” thotë Andrew Wilson, profesor në Universitetin e Londrës.

Kjo, sipas zotit Wilson, ka shkaktuar ngecjen e reformave:

“Ukrainës i është thënë të ngrejë një gjykatë të veçantë anti-korrupsion. Por është një version i sajuar që askush nuk beson se mund të jetë i pavarur. Kjo është pengesa kryesore,” thotë Profesor Wilson.

Do të jetë e vështirë që të kapërcehet kjo pengesë:

“Ndërsa qeveria ukrainase është tani e preokupuar me përgatitjet për zgjedhjet e 2019-tës, nuk është e qartë si do të trajtohen sfidat e tjera,” thotë Anastasia Voronkova, analiste në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike

Ka kaluar një vit që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit BE-Ukrainë, pas një numër vonesash. Për shumë ukrainas kjo marrëveshje ofroi shpresa për mundësi ekonomike dhe forcimin e shtetit ligjor, pas dekadash të tëra me rritje të ngadaltë ekonomike dhe korrupsion.

“Shenjat e para tregojnë rritje të eksporteve në BE, por jo në përmasa që të zgjidhin problemet ekonomike. Si rezultat po shfaqen shenja zhgënjimi sepse Ukraina nuk ka përparuar më shumë,” thotë Profesor Wilson.

Bashkimi Evropian do ta shfrytëzojë takimin për të riafirmuar mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës, një javë pasi blloku zgjati zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

“Presioni nga jashtë ndihmon, sidomos për të parandaluar shkallëzim të fortë të konfliktit. Por ky presion nuk mjafton për të zgjidhur konfliktin,” thotë analistja Voronkova.

Shtëpia e Bardhë tha këtë javë se politika amerikane ndaj Ukrainës në lidhje me aneksimin rus të Krimesë nuk ka ndryshuar.

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të takohen në Helsinki më 16 korrik, dhe pritet që Ukraina të jetë një ndër temat kryesore në bisedimet mes tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat