Gjykata e OKB-së refuzon kërkesën e Mlladiqit për gjykim të mjekëve

Evropë

Gjykata e OKB-së refuzon kërkesën e Mlladiqit për gjykim të mjekëve

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 15:30
Ratko Mlladiq

Gjykata e OKB-së në Hagë refuzoi një kërkesë nga mbrojtja e ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq për të rishqytruar një vendim të mëparshëm për të nisur procedimet gjyqësore kundër mjekëve në njësinë e paraburgimit.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare tha të mërkurën se nuk do të rishqyrtojë vendimin e mëparshëm për të refuzuar një kërkesë nga mbrojtja e Ratko Mlladiqit për të filluar procedimet gjyqësore për shpërfillje të gjykatës kundër stafit mjekësor në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së, ku ndodhen të pandehurit e Hagës.

“Mocionet e Mlladiqit që i referohen “fakteve të gjetura së fundmi” nuk përbëjnë rrethanat që justifikojnë rishqyrtimin me qëllim shmangien e padrejtësisë,” thuhej në vendimin e gjykatës së OKB-së.

Mbrojtja e Mlladiqit fillimisht kërkoi fillim të këtij viti që të fillojë procedimi gjyqësor kundër mjekut Paulus Falke, kreu i personelit mjekësor në Njësinë e Paraburgimit, dhe punonjësve të tjerë mjekësorë, duke pretenduar se ishin përgjegjës për përkeqësimin e shëndetit të ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Por mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare refuzoi kërkesën fillestare të mbrojtjes në maj.

“Duke marrë parasysh se mocionet e mbrojtjes së Mlladiqit, ku shprehet pakënaqësi për kujdesin mjekësor në Njësinë e Paraburgimit, nuk tregojnë se stafi mjekësor qëllimisht pengoi drejtësinë, arrij në përfundimin se mbrojtja e Mlladiqit nuk ka vërtetuar ekzistencën e dyshimit se ata janë fajtorë për shpërfillje të gjykatës,” tha vendimi në maj.

Mbrojtja më pas kërkoi që Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare ta rishqyrtojë vendimin, por kjo kërkesë u refuzua të mërkurën.

Në disa raste përpara dënimit të Mlladiqit nëntorin e kaluar, avokatët e tij kërkuan shtyrjen e vendimit për shkaqe shëndetësore.

Ata kërkuan gjithashtu që Mlladiq të lirohet për të marrë trajtim mjekësor, duke këmbëngulur se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe se ai nuk po merr kujdesin e duhur në Njësinë e Paraburgimit dhe se duhet të shtrohet në spital.

Në nëntor të vitit të kaluar, Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjen dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Mlladiç u lirua nga akuzat për gjenocidi në gjashtë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Si mbrojtja ashtu edhe prokurorët e Hagës kanë njoftuar se do të paraqesin apele.

Mlladiq është mbajtur në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tij në Serbi në maj 2011.

Para arrestimit të tij, Mlladiq – i cili tani është 75 vjeç – kishte pësuar tre infarkte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat