Gjermani: Afganasin e dëbuar gabimisht do ta kthejnë

Evropë

Gjermani: Afganasin e dëbuar gabimisht do ta kthejnë

Më: 4 gusht 2018 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Njëri nga azilkërkuesit, të cilin e larguan para një muaji me avion me 68 azilkëkues të tjerë në Afganistan do të kthehet në Gjermani. Kjo bëhet e ditur në disa medie.

Një azilkërkues nga Neubrandenburgu, i dëbuar në mënyrë të paligjshme, do të kthehet së shpejti në Gjermani. Këtë e bëjnë të ditur disa medie. "Spiegel" raportoi e para për këtë rast.

Dokumentat e nevojshme janë gati, kthimi i 20 vjeçarit nuk pengohet më nga asgjë, u bë e ditur nga qarqe qeveritare. Të riun do ta dërgojnë fillimisht në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ku ambasada gjermane do t'i japë një vizë të vlefshme për vazhdimin e udhëtimit për në Gjermani.

Që para dy javësh, Ministria Federale e Punëve të Brendshme bëri të ditur se Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) do të niste së shpejti hapat e nevojshëm. Avokatja e burrit, Sonja Steffen reagoi e lehtësuar: "Mua m'u konfirmua që shteti ynë juridik funksionon dhe që gabimi i madh që u bë, tani po korrigjohet", i tha ajo atëherë televizionit NDR.

Kthimin e përgatiti Organizata Ndërkombëtare e Migrimit, shpenzimet i mbulon BAMF-i, u bë e ditur.

Afganasin nuk duhej ta kishin dëbuar

I riu, që jetonte në Gjermani që prej vitit 2015, ishte njëri nga ata 69 vetë, që i kthyen në 3 korrik me një avion të posaçëm nga Mynihu në Afganistan. Dy javë më vonë u mësua që 20 vjeçarin nuk duhej ta kishin dëbuar, për shkak të një procesi gjyqësor në vazhdim e sipër në Gjykatën Administrative Greifswald. Ai kishte hedhur në gjyq refuzimin e kërkesës së tij për azil. Në javën pas dëbimit, refugjati duhet të kishte dalë para gjyqit./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat