I pakënaqur me Macron, ministri i Mjedisit në Francë dorëhiqet “live” në radio

Evropë

I pakënaqur me Macron, ministri i Mjedisit në Francë dorëhiqet “live” në radio

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 12:11
Nicolas Hulot

Ministri francez i Mjedisit, Nicolas Hulot, një prej anëtarëve më popullorë të qeverisë “Macron”, ka dhënë dorëheqjen duke i sjellë kështu goditjen e parë të fortë kabinetit të kryeministrit Edouard Philippe, si dhe presidentit Emmanuel Macron.

“Nuk besoj më, mbeta krejt i vetëm”, mësohet të ketë thënë ai. Hulot është ankuar për hapat e vegjël të hedhur përpara në raport me klimën dhe temat mjedisore gjatë 14 muajve të qeverisjes, pavarësisht përpjekje të mëdha të tij.

Dorëheqjen e paraqiti “live”, ndërsa fliste për Radion “France Inter”, ku sqaroi se nuk kishte paralajmëruar njeri për vendimin e tij.

“Zgjodha ta lë këtë qeveri, – u shpreh Hulot, – duke mos e fshehur zhgënjimin e pësuar. Ishte ndoshta vendimi më i vështirë i jetës sime, por nuk kam asnjë dëshirë të gënjej veten. Nuk dua të qëndroj me iluzionin dhe prania ime në këtë qeveri dëshmon se jemi në lartësinë e sfidës, ndaj dhe arrita në përfundimin që është më mirë ta lë këtë kabinet”.

Arsyet që citoi për këtë lëvizje të papritur të tij ishin dështimet e ekzekutivit për të zgjidhur problemet me pesticidet dhe biodiversitetin. Reagimi i qerverisë erdhi përmes zëdhënësit, Benjamin Griveaux, i cili shprehu keqardhje për këtë vendim dhe e vlerësoi lart punën e bërë nga 63-vjeçari gjatë këtyre muajve.

Nicolas Hulot ka qenë fotoreporter, moderator, e më pas këshilltar i presidentit Francois Hollande, përpara se të bëhej pjesë e ekzekutivit të Macronit, ku konsiderohej si “numri 3”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat