Zvogëlohet numri i anëtarëve të kishave

Evropë

Zvogëlohet numri i anëtarëve të kishave

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 12:48
Ilustrim

Numri i gjermanëve që janë anëtarë në kishën evangjeliste dhe atë katolike u pakësua edhe në vitin 2017. Krahas ndryshimit demografik, ekspertët shohin këtu edhe shkaqe të tjera.

Kisha katolike dhe ajo evangjeliste, dy kishat e mëdha në Gjermani publikuan shifrat për anëtarët e tyre në vitin 2017. Numri i katolikëve në Gjermani ka rënë nga 23.6 milionë në vitin 2016 në 23.3 milionë në vitin 2017. Numri i protestantëve ra nga rreth 21.9 milionë në 2016 në rreth 21.5 milionë në 2017. Shifrat më të fundit janë pjesë e një tendencë që ka kohë që është përvijuar, e cila ecën që prej ribashkimit të Gjermanisë në të njëjtin drejtim: për poshtë.

Shkaku kryesor për rënien e numrit të anëtarëve është ndryshimi demografik dhe plakja e anëtarëve. Në kishën evangjeliste vitin e kaluar vdiqën 390.000 anëtarë, por u pranuan me anë të pagëzimit vetëm 180.000 anëtarë të tjerë.

Image

Një shkak për strukturën moshore konsiston në vështirësinë për t'i tërhequr të rinjtë. "Shumë të rinj thuajse nuk vijnë fare në kontakt me jetën kishtare, sepse nuk socializohen dhe edukohen në mënyrë të krishterë", thotë Olaf Müller, bashkëpunëtor shkencor në grupin e ekselencës Feja dhe Politika në Universitetin e Mynsterit. "Kjo bën që më vonë të mos e gjejnë më rrugën e kishave".

Rituale të huaja

Gati gjysma e gjermanëve, më pak se 43 përqind, sipas statistikave kishtare e përcakton veten si ateistë ose deklaron një konfesion tjetër, jo katolik ose evangjelist. Edhe daljet nga kisha janë një problem për të dyja konfesionet.

"Numri i atyre që dalin nga kisha të dhemb", i komenton Sekretari i  Konferencës Gjermane të Ipeshkve, Hans Langendörfer shifrat më të fundit për anëtarët, që u publikuan të premten. "Ne duam të kuptojmë se pse njerëzit nuk gjejnë në kishë një vend për orientim për jetën dhe për besimin e tyre".

Shpjegimi i ekspertit për kishat, Olaf Müller është që shumica e njerëzve, që dalin me ndërgjegje nga kisha, nuk janë të pakënaqur konkretisht me kishën e tyre ose me priftin. Studimet kanë nxjerrë në pah se për shumë vetë ritualet kishtare dhe doktrina thjesht nuk kanë asnjë kuptim.

Image

Polonia si kundërshembull

Një pikë e tretë janë zhvillimet shoqërore, që vërehen edhe në vende të tjera perëndimore. "Këtu bën pjesë individualizimi dhe mirëqënia në rritje, që ecën hap pas hapi me rrethanën se njerëzit nuk kanë më nevojë për fenë", shpjegon Müller. Veç kësaj, njerëzit kanë sot mundësi më të mëdha për ta organizuar kohën e lirë se sa disa breza më parë. Shërbimi kishtar nuk është më e vetmja formë për të gjetur shokë. Por ka edhe përjashtime, që e kundërshtojnë tendencën. "Atje, kur feja dhe kisha kanë formësuar identitetin kombëtar ka edhe më shumë vetë anëtarë të kishës", deklaron Müller dhe përmend si shembull Poloninë.

Nga ana tjetër, njerëzit në Gjermani i vlerësojnë kishat para së gjithash si aktorë në sferën sociale. Kisha evangjeliste thotë për shembull se nga viti 2011 deri 2017 numri i kopshteve ditore për fëmijët është rritur nga 8495 në 8800. /DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat