Qëndrimi antiemigracion i Italisë rrezikon misionin “Sophia” në Mesdhe

Evropë

Qëndrimi antiemigracion i Italisë rrezikon misionin “Sophia” në Mesdhe

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 14:44
Italia

Italia ka kërcënuar të ndalojë ankorimin e anijeve të forcave detare të BE-së, të cilat sjellin ndër të tjera edhe emigrantë të shpëtuar në Mesdhe, në portet e saj, për sa kohë që blloku nuk gjen mënyrat e duhura për shpërndarjen e barrës së pranimit të tyre, sipas zyrtarëve në Bruksel.

Diplomatë europianë janë mbledhur këtë të martë në Bruksel mbi këtë kërcënim të fundit nga Italia, qeveria populiste e së cilës ka mbajtur deri më tani disa anije shpëtimi me qindra emigrantë në bord të bllokuar në ujërat detare për ditë me radhë.

Zyrtarë europianë thonë se Roma i ka dhënë afat BE-së deri në fund të gushtit për të hartuar një skemë të qartë shpërndarjeje për emigrantët e shpëtuar në det të hapur nga anijet e operacionit “Sophia” të forcave të përbashkëta detare, përndryshe nuk do t’i lejojë më ato të ankorohen në portet e saj.

Gjithsesi, një marrëveshje e shpejtë për pritjen e njerëzve që shpëtohen nga anijet e operacionit “Sophia” nga vendet e tjera të BE-së zor se do të arrihet. Shtetet e unionit nuk kanë mundur të bien dakord mbi një politikë emigracioni, që kur emigrantë e refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e veriut nisën të mbërrinin në shifra alarmante.

Italia, aty ku mbi 650 mijë njerëz kanë mbërritur nga përtej detit që prej vitit 2014, është ndierë gjithnjë e më shumë e ngarkuar dhe e lënë e vetme nga vendet partnere. Por, zgjedhjet e këtij viti ua dhanë fitoren partive që bënë fushatë mbi një platformë antiemigracion.

Një zyrtar i BE-së tha se skenari më i keq do të ishte që anijet e operacionit “Sophia” të qëndronin në porte. Disa të tjerë thonë se, kjo pak gjasa ka që të ndodhë, pasi mandati i misionit është deri në fund të vitit dhe se shtetet e BE-së janë përgjithësisht në favor të përvijimit të tij.

Derisa një zgjidhje të gjendet, “topi” ndoshta do t’i kalojë gjykatave të Romës për të parë nëse, qeveria italiane ka vërtet dëshirë të vazhdojë më tej me kërcënimet e saj.

Operacioni “Sophia” ka aktualisht 4 anije në Mesdhe, sikurse edhe avionë dhe helikopterë për të parë gomone që trafikojnë emigrantët përmes tij. Sipas ligjit ndërkombëtar, anijet janë të detyruara t’i ndihmojnë njerëzit në rrezik, ndërsa ato të operacionit “Sophia” në shumicën e rasteve deri më sot i kanë dërguar të shpëtuarit drejt porteve italiane.

Edhe pse vetëm 70 mijë njerëz kanë mundur të shkelin në BE përmes Medheut këtë vit, një pjesëz shumë e vogël nga vala me mbi një milion të ardhur në vitin 2015, emigracioni vijon të dominojë politikën europiane. Ministrat e Mbrojtjes së vendeve të BE-së do ta diskutojnë gjithashtu çështjen, kur të takohen në Vjenë të mërkurën dhe të enjten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat