May: Helmimi i Skripalëve "u miratua" nga një nivel i lartë i shtetit rus

Evropë

May: Helmimi i Skripalëve "u miratua" nga një nivel i lartë i shtetit rus

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 18:56
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se qeveria e saj, në bazë të informacioneve që kanë siguruar agjencitë britanike, ka konstatuar se dy të dyshuarit për rastin Skripal kanë qenë pjesë e shërbimit rus të inteligjencës GRU.

Autoritetet britanike i identifikuan të mërkurën dy shtetas rusë, Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, si të dyshuar për përpjekjen për të vrarë ish-spiunin rus, Sergei Skripal, dhe vajzën e tij, Yulia.

Rasti ka ndodhur në muajin mars në qytetin Sallsbëri të Anglisë, kur Skripalët janë helmuar me agjentin nervor Noviçok.

Helmimi "pothuajse me siguri" u miratua nga një nivel i lartë i shtetit rus, tha May.

"Në bazë të asaj që kemi mësuar nga hetimet në Sallsbëri dhe të asaj që dimë për këtë organizatë, ne duhet t'i rrisim përpjekjet tona kolektive në mënyrë specifike kundër GRU-së", tha ajo.

Ministria e Jashtme ruse tha se emrat dhe fotografitë e dy burrave të dyshuar "nuk do të thonë asgjë për Moskën".

Kremlini e ka mohuar përfshirjen në helmimin e Skripalëve. Rasti, megjithatë, ka shkaktuar krizë diplomatike midis Moskës dhe Perëndimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat