May: BE duhet të respektojë Britaninë në negociatat për Brexit

Evropë

May: BE duhet të respektojë Britaninë në negociatat për Brexit

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 16:05
Kryeministrja britanike, Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë Mbretërinë e Bashkuar me “respekt” në negociatat për Brexit.

Në një deklaratë të nisur nga Downing Street, ajo ka thënë për liderët e BE-së, se kundërshtimi i planit të saj pa ofruar alternativë në “këtë fazë të vonë të negociatave” është “i papranueshëm”.

Përveç tjerash, May ka thënë se “nuk do të përmbysë rezultatin e referendumit dhe nuk do ta ndajë shtetin tim”.

Sekretari britanik për Brexit, Dominic Raab ka thënë se nuk ka “alternativë të besueshme” në tavolinë nga bisedimet e BE-në.

Ai po ashtu ka shprehur dyshim rreth seriozitetit të liderëve të BE-së lidhur me këto negociata.

Raab ka thënë për BBC-në se “neve na u janë kundërshtuar planet pa ndonjë sqarim se pse”.

Sipas tij, Qeveria Britanike do të “vazhdojë të jetë e qetë dhe të mbajë negociatat në frymën e besimit të mirë”.

Britania e Madhe pritet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të vitit 2019.

May ka thënë se plani i saj për Britaninë dhe BE-në për të zbatuar “rregullore të njëjtë” për mallra por jo edhe shërbime, është rruga e vetme kredibile për të anashkaluar një kufi të ashpër në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës.

Mirëpo plani i May është kundërshtuar edhe nga anëtarë të vetë partisë së saj, të cilët thonë se një plan i tillë do të krijonte kompromise për sovranitetin e Britanisë.

Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Evropian ka thënë në një konferencë për media, pas takimit të liderëve të BE-së në Salsburg se, ka pasur disa “elemente pozitive” në planin e kryeministres britanike.

Mirëpo ai po ashtu ka deklaruar se liderët evropianë janë pajtuar për të rishkruar propozimin, pasi “plani për bashkëpunim ekonomik nuk do të funksionojë”.

Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ka thënë për RTE-në të premten se “jam duke punuar çdo ditë sikurse njerëzit në Evropë dhe Qeverinë Britanike për të mënjanuar një Brexit pa marrëveshje”.

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian janë duke tentuar të arrijnë një marrëveshje për Brexit deri në mes të muajit nëntor si dhe po synojnë t’i ikin kufirit të ashpër, në mes të Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, mirëpo ende nuk kanë arritur gjuhë të përbashkët në këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat