Erdogan: Gjykata do të vendosë për fatin e pastorit amerikan

Evropë

Erdogan: Gjykata do të vendosë për fatin e pastorit amerikan

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 10:45
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se gjykata turke dhe jo politikanët do të vendosin për fatin e pastorit amerikan, Andrew Brunson, i cili është arrestuar për akuzat të lidhura me terrorizëm, çka ka rezultuar me marrëdhënie të tensionuara në mes të Ankarasë dhe Uashingtonit, transmeton Reuters.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë të hënën se ai shpreson që Turqia do ta lirojë pastorin Brunson këtë muaj.

Brunson aktualisht gjendet në arrest shtëpiak pasi ka qenë në paraburgim për 21 muaj.

Në një intervistë në Nju Jork, Erdogan ka thënë se çdo vendim është në dorën e gjykatës.

“Kjo është çështje gjyqësore. Brunson është ndaluar për akuza të lidhura me terrorizëm. Më 12 tetor do të ketë seancë tjetër dëgjimore dhe ne nuk e dijmë çfarë do të vendosë gjykata, politikanët nuk kanë fuqi në këtë vendim”, është shprehur ai.

Në rast se shpallet fajtor, Brunson mund të përballet me burgim deri në 35 vjet.

Pastori amerikan kundërshton vazhdimisht këto akuza.

“Si president, nuk kam të drejtë të urdhërojë lirimin e tij. Gjyqësori ynë është i pavarur. Do të presim dhe të shohim se çfarë do të vendosë gjykata”, ka thënë presidenti turk.

Presidenti amerikan, Donald Trump është zemëruar për ndalimin e Brunsonit, duke autorizuar dyfishim të tarifave në importet e çelikut dhe aluminit të Turqisë.

Në shenjë hakmarrje, Turqia ka rritur tarifat në veturat amerikane, alkoolin dhe importet e duhanit.

Përveç tjerash, lira turke është zhvlerësuar për gati 40 përqind kundrejt dollarit amerikan, duke rritur shqetësimet në Turqi për rrezik të krizës financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat