Partia e Gjelbër dhe roli i saj në politikën e Gjermanisë

Evropë

Partia e Gjelbër dhe roli i saj në politikën e Gjermanisë

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 08:12
Një murale në Berlin lexon: "Nazistë? Jo, faleminderit"

Fuqizimi i së djathtës ekstreme në Gjemani është fakt, por në shtetin jugor të Bavarisë, popullariteti i së djathës po eklipsohet nga opozita në spektrin politik. Anketat tregojnë se në prag të zgjedhjeve të 14 tetorit në këtë shtet, Partia e Gjelbër është në vend të dytë; kjo mund ta bëjnë këtë parti një faktor kryesor për çdo koalicion qeveritar. Politikanët e krahut të majtë në mbarë Europën po e ndjekin me interesim situatën politike në Gjermani, ndërsa përpiqen të gjejnë mënyra për t’iu kundërvënë fuqizimit të së djathtës ekstreme:

Në kryeqytetin e Bavarisë, Mynih, festa tradicionale e birrës është në kulmin e vet dhe për Katharina Schulze, shumë shpejt mund të ketë edhe një tjetër arsye për të festuar.

Bashkëkryetarja 33-vjeçare e Partisë së Gjelbër të Bavarisë thotë se ndjen që kjo ka për të ndodhur. Ajo kryeson garën me kandidatin e Socialdemokratëve të qendrës së majtë dhe atë të Alternativës për Gjermaninë, të së djathtës ekstreme.

“Ajo që sot shqetëson njerëzit, është se flitet shumë për urrejtje, ka një shtim të gjuhës së urrejtjes. Ne nuk fokusohemi tek kjo. Sigurisht, që ka sfida që duhet t’i trajtojmë me guxim, por na duhen zgjidhje dhe ide të zgjuara – jo gjithmonë me ankesa, se sa keq janë punët,”- thotë Katharina Schulze.

Ky është një mesazh që duket se rezonon me situatën. Partia e Gjelbër po merr votat e socialdemokratëve në disa qytete gjermane. Udhëheqësit e saj mbështetin një program tërësisht të ndryshëm – kufij të hapur, integrim më të madh europian dhe thonë se Gjermania duhet të jetë krenare që ka pranuar mbi një milion refugjatë.

“Në një kohë kur ekziston frika për fuqizimin e së djathtës ekstreme dhe për një Gjermani të mbyllur, kjo situatë po funksionon mirë për ta.”- thotë analisti i shkencave politike, Julian Gopffarth.

Fuqizimi i së djathtës ekstreme është mbuluar gjerësisht nga media. Sipas anketave, partia anti-imigracionit AfD, është në vend të tretë. Por Të Gjelbërit mendojnë se ka ardhur momenti i përshtatshëm për ta.

“Sigurisht, që lajmet fokusohen gjithmonë tek ngjarjet më shokuese. Prandaj mendoj se Partia e Gjelbër nuk ka mbulim po aq të madh sa Partia AfD dhe fuqizimi i saj” , - thotë analisti Gopffarth.

Të Gjelbërit kanë mësuar nga sukseset e rivalëve të tyre, duke zbatuar disa nga taktikat që kanë tërhequr mbështetje për ekstremin e djathtë; ata po theksojnë lidhjet lokale të kandidatëve të tyre.

“…Duke theksuar edhe disa nga kauzat e AfD-së. Çështja e Atdheut, për shembull; ata përpiqen ta theksojnë atdhedashurinë nga perspektiva e politikave të gjelbëra, nga pikëpamja ekologjike,”- thotë analisti Gopffarth.

Duke u nisur nga ky këndvështrim, Të Gjelbërit i kanë kritikuar disa projekte të mëdha ndërtimi, si sulme ndaj mjedisit të Bavarisë. Por a do të sillte theksimi i çështjeve ekologjike fuqizimin e populizmit të gjelbër në Europë? “ - thotë analisti Gopffarth.

“Janë disa aspekte, të cilat ndikojnë tek suksesi i Partisë së Gjelbër, të cilat mund t’i shohësh në shumë vende europiane: dobësimi i dy partive kryesore politike, të qendrës së majtë dhe të djathtë, që i çojnë njerëzit drejt ekspremeve, qofshin këto të dyerve të hapura, apo izolimit”- thotë analisti politik Leopold Traugott.

Sfida për Partinë e Gjelbër është ta shtrijë këtë situatë të favorshme që ka në Bavari, edhe më gjerë, në Gjermani dhe në Europë. Shumë analistë janë skeptikë, por fragmentimi i politikës europiane po merr tani një ngjyrim të ri./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat