Stoltenberg: Fushata ajrore e vitit 1999 - nuk ishte kundër popullit serb - Bota Sot
Stoltenberg: Fushata ajrore e vitit 1999 - nuk ishte kundër popullit serb

Evropë

E shtunë, 20 tetor 2018

Stoltenberg: Fushata ajrore e vitit 1999 - nuk ishte kundër popullit serb

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 10:22
Jens Stoltenberg dhe Aleksander Vuçiq

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se aleanca mbështetë plotësisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe bisedimet ndërmjet tyre janë rruga më e mirë për një zgjidhje, që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Ai i bëri këto komente në një paraqitje të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në hapje të stërvitjeve të emergjencave civile në qytetin e Mlladenovcit, rreth 50 kilometra larg Beogradit.

Stërvitjet me emrin “Serbia 2018”, organizohen bashkërisht nga NATO-ja, Qendra Evropiane për Bashkërendimin e veprimtarive në raste emergjencash dhe ministria e Brendshme e Serbisë.

Sekretari Stoltenberg tha se këto stërvitje nuk janë ushtarake. Në to po marrin pjesë 2 mijë shërbyes nga 38 vende dhe sipas sekretarit të NATO-s, janë stërvitjet më të madhe të këtij lloji dhe hera e parë që mbahen në Serbi.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por një nga pak vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të aleancës së NATO-s, e cila është shumë jopopullore ndër serbët që nga fushata e bombardimeve të vitit 1999, që dëboi forcat serbe jashtë Kosovës.

Sekretari Stoltenberg tha se e kupton që NATO-ja është e diskutueshme në Serbi.

"Kujtimet e fushatës ajrore të vitit 1999 janë ende të dhimbshme për shumëkënd. Posaçërisht për ata që kanë humbur më të dashurit. Fushata nuk ishte kundër popullit serb. Ishte për të mbrojtur civilët në rajonin më të gjerë. Çdo jetë e pafajshme e humbur ishte një tragjedi për të cilën me të vërtetë më vjen keq. Unë u ofroj ngushëllimet e mia familjeve dhe të gjithë atyre që humbën të dashurit në të dy anët e konfliktit. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën. Por ne mund të lëvizim përtej saj", tha ai.

Në vitin 2006, Serbia, e cila ka zgjedhur neutralitetin ushtarak, u bashkua në programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe në vitin 2015, nënshkroi Planin Individual të Veprimit të Partneritetit - shkalla më e lartë e bashkëpunimit midis aleancës dhe një vendi që nuk synon të anëtarësohet.

Serbia gjithashtu ruan lidhjet e ngushta ushtarake me Rusinë, aleaten e saj tradicionale ortodokse dhe sllave edhe për shkak të qëndrimit të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Sekretari Stolteberg tha se NATO-ja e respekton neutralitetin ushtarak të Serbisë por e vlerëson partneritetin e saj.

Disa mijëra trupa të NATO-s vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse në Kosovë dhe sekretari Stoltenberg tha se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet.

"NATO-ja mbështetë plotësisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Bisedimet Beograd - Prishtinë janë platforma më e mirë për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Bisedimet janë thelbësore për qëndrueshmërinë në rajon", tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian. Por, bartësit e këtyre bisedimeve pohojnë se një marrëveshje normalizimi duket ende e largët./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test