Samiti Greqi-Qipro-Egjipt, mbështeten kërkimet e Nikosisë për gaz natyror - Bota Sot
Samiti Greqi-Qipro-Egjipt, mbështeten kërkimet e Nikosisë për gaz natyror

Evropë

E martë, 16 tetor 2018

Samiti Greqi-Qipro-Egjipt, mbështeten kërkimet e Nikosisë për gaz natyror

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 09:29
Presidenti qipriot Nikos Anastasiadis, ai egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras

Presidenti qipriot Nikos Anastasiadis, ai egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras kanë nënshkruar në Elunda të Kretës, në samitin e gjashtë të lartë Greqi-Qipro-Egjipt një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh, pasi kanë diskutuar për mënyrat e reja të bashkëpunimit dhe sigurimit të stabilitetit në rajon.

“Është e qartë se nuk mund të ketë zgjidhje për problemet rajonale pa pjesëmarrjen aktive dhe konstruktive të Egjiptit. Nuk mund të ketë zgjidhje për problemin palestinez dhe në Libi pa Egjiptin. Përballimi i terrorizmit dhe kontrollimi i flukseve të refugjatëve nga Afrika nuk mund të ndodhë pa Egjiptin”, tha Tsipras.

Kryeministri Tsipras ka dalë përsëri në mbështetje të Nikosisë, pas kundërshtimeve të vazhdueshme që shpreh pala turke ndaj kërkimeve për gaz natyror të Qipros në zonën e saj ekskluzive ekonomike, të cilën e ve në dyshim Ankaraja.

“Ne shprehim qartë mbështetjen tonë për Qipron në përpjekjet e saj për të ushtruar të drejtat e saj sovrane, sipas të drejtës ndërkombëtare në lidhje me zonën e saj ekskluzive ekonomike dhe shfrytëzimit të saj, kundër çdo kërcënimi të një vendi të tretë”, u shpreh kryeministri grek.

Tre liderët kanë theksuar iniciativat e tyre në promovimin e stabilitetit në rajon, të sigurisë dhe zhvillimit në sektorët e energjitikës dhe telekomunikacionit, në një periudhë veçanërisht kritike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test