Bavaria voton - Berlini nën ethe

Evropë

Bavaria voton - Berlini nën ethe

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 06:05
Horst Seehofer, kryetar i CSU-së dhe ministri federal i Punëve të Brendëshme dhe Markus Söder, kryeminsitër i landit bavarez dhe kandidati për kryeministër i CSU-së në Bavari

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Bavari mund të kthehet në një sfidë për kancelaren Angela Merkel. Sondazhet nuk janë premtuese për kristiandemokratët, që qeverisin të vetëm prej dekadash në Bavari.

Më 14 tetor zhvillohen zgjedhjet parlamentare në landin e Bavarisë. Bavarezët me votën e tyre do të përcaktojnë përbërjen e parlamentit në landin-shtet. Rezultati i këtyre votimeve mund të jetë vendimtar edhe për një ndryshim kursi në politikën e landit, që do të ketë efekt edhe në kryeqytetin e federatës në Berlin.

CSU-ja bavareze një kuriozitet politik 

Kjo në radhë të parë ka të bëjë me partinë kristiansociale, CSU. Partia konservatore e Bavarisë është një kuriozitet për ata që janë jashtë këtij landi. Ata qeverisin në Bavari pandërprerje që prej gjashtë dekadash. Ndonëse CSU vet si parti mund të zgjidhet vetëm në Bavari ajo është e përfaqësuar edhe në Berlin. Në zgjedhjet parlamentare më 2017 CSU-ja arriti të marrë aq vota sa ato përbënin në nivelin e Gjermanisë 6,2 përqind, çka do të thotë kalim i pragut të 5 përqind për të qenë e mëvetsishme në përfaqësimin parlamentar. Kjo parti me partinë gjithashtu konservatore kristiandekokrate, CDU, kanë grupe të bashkuara parlamentare në nivelin e politikës federale.

Votimi i parë pas krijimit të kabinetit të katërt Merkel është edhe një reflektim i asaj, se sa mirë punojnë ndërkohë partitë në Berlin. Përkundër pretendimeve të kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder për zgjedhësit bavarezë është e rëndësishme politika federale, rezultuan pak javë më parë anketimet e radios "Bayerische Rundfunk". Kjo në radhë të parë ka të bëjë me CSU-në, që si partnere e koalicionit qeverisës është e përfaqësuar me tre ministra në kabinetin qeveritar.

Konkurrenca nuk fle

Por dy kundërshtarët kryesor në këtë fushatë elektorale janë nga njëra anë populistët e djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë), që do të sigurojë përfaqësimin në parlament si në Bavari edhe në landin e Hesenit, ku ka gjithashtu zgjedhje pas dy javësh. Kjo parti ende nuk është e përfaqësuar në këto parlamente. Dhe nga ana tjetër ekologjistët, që në Bavari kanë hyrë në garën elektorale me qëllimin për t'i dhënë fund shumicës absolute të CSU-së dhe për të marrë vetë përsipër përgjegjësinë e qeverisjes së landit.

Për partinë CSU që qeveris e vetme në Bavari kjo mund të jetë një faturë e hidhur: pak para vendimit të zgjedhësve këtë të dielë partia ka rezultatet më të dobëta në historinë e saj sipas demoskopëve. Nëse para pesë vjetësh CSU-ja kishte për vete gati gjysmën e votave të zgjedhësve, ndërkohë anketimet flasin për një rënie në gati një të tretën e votave. Arsyet janë duke u analizuar ndërkohë.

Ku qendron problemi për këto rezultate të dobëta të CSU-së?

Partia është dobësuar prej luftës për pushtet brenda radhëve të saj mes kryetarit të CSU-së Horst Seehofer dhe kandidatit për kryeministër Markus Söder. të dy gjatë luftës elektorale kanë përdorur teza të theksuara populiste, gjë që pjesërisht është shpjeguar me përpjekjen e tyre për të tërhequr votat e AfD-së populiste të djathtë që është forcuar. Grindja brenda partisë ka bërë që të bien kuotat e saj në anketime. Kandidati për kryeministër është përpjekur në fjalimet e tij elektorale ta zbusë dëmin me deklarata të tilla si: "Djathtas unionit nuk duhet të ketë asnjë forcë të legjitimuar demokratike", duke cituar kështu linjën orientuese politike që jepte dikur kryeministri bavarez Franz Joseph Strauss. "Strauss do ta kishte luftuar AfD-në." Për këtë është i sigurt Söder, i cili nuk lodhet së përmenduri, se në rininë e tij në dhomë mbante një poster me portretin e Strauss-it.

Pak metra më tutje kryetari i partisë Seehofer as që do t'ia dijë për kërcënimin nga populistët e djathtë, "Jo, ne nuk kemi spostim djathtas”,thotë ai për Deutsche Welle-n. Ai thekson, se nuk dallon tendenca populiste të partisë së tij në luftën elektroale. "Ne jemi dhe mbetemi një parti popullore e qendrës dhe nuk jetojmë gjë tjetër."

Ndërkohë është e qartë nga kjo luftë për pushtet asnjëri prej të dyve nuk do të dalë fitues. Në vend të kësaj përfitojnë prej kamikacëve konservatorë kryesisht partia ekologjiste Aleanca90/Të Gjelbërit. Njëkohësisht me rënien e ndjeshme të elektoratit të CSU-së, ekologjistët kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe mund të renditen si forca e dytë politike në këtë land.

Bavaria vendos tendencën politike për Berlinin

Ky zhvillim nuk është aspak tipik për landin: vlera të ngjashme anketimesh si në Bavari demoskopët konstatojnë në mbarë Gjermaninë. Edhe një tjetër tendencë si në Bavari konstatohet edhe në nivel federate: pikërisht partia populiste e djathtë AfD përfiton nga humbja e votave të konservatorëve. Me sloganin "AfD është ndëshkimi i Zotit për CSU-në" ata përpiqen të fitojnë për vete zgjedhësit e distancuar prej konservatorëve. Por kjo strategji duket se nuk po rezulton efikase.

Megjithatë një dështim i CSU-së të dielën (14.10) nuk mund të mbetet pa pasoja. Qysh tani po spekulohet për fundin politik të kryetarit aktual të partisë Seehofer, gjë që mund të rrezikonte edhe stabilitetin e qeverisë së kancelares Angela Merkel.

Jo vetëm zgjedhjet në Bavari, por edhe ato në Hesendy javë më pas janë sfidë për Berlinin. Pasojat mund të jenë në këtë land edhe më të rënda për Merkelin, sepse atje kandidon partia e saj, CDU. Nëse qeveria aktuale e landit e përbërë nga CDU dhe ekologjistët dështon në këto votime, edhe kancelaren këtë vjeshtë do ta presin kohë të stuhishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat