Britanikët kërkojnë referendum të dytë - Bota Sot
Britanikët kërkojnë referendum të dytë

Evropë

Britanikët kërkojnë referendum të dytë

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 23:32
Ilustrim

Rreth 670 mijë britanikë kanë mbushur rrugët e Londrës për të kërkuar një referendum të dytë mbi Brexit. Përballë tyre kanë dalë protestues rivalë të udhëhequr nga ish-lideri i nacionalistëve të JUKIP, që ka deklaruar se qytetarët duan të largohen nga BE’ja.

Protestues që bëjnë thirrje për një referendum mbi marrëveshjen finale të Brexit kanë mbushur të shtunën rrugët e Londrës. Ata janë mbledhur në sheshin e Parlamentit dhe organizatorët e tubimit thonë se bëhet fjalë për protestën më të madhe, më të rëndësishme dhe më të zhurmshme të mbajtur ndonjëherë në lidhje me këtë çështje.

Votuesit në moshë të re kanë udhëhequr marshimin e organizuar nga grupimi “Vota e Popullit”, ndërkohë që një protestë paralele pro daljes nga BE’ja është mbajtur në Herrogejt, e udhëhequr nga ish-lideri i partisë nacionaliste JUKIP, Nazel Farah.

Deputetë nga të gjitha partitë politike po mbështesin të rinjtë në kërkesën për një referendum të ri, opsion që është refuzuar disa herë nga kryeministrja Theresa May.

Sipas BBC, që citon organizatorët e protestës, personat e mbledhur janë rreth 670 mijë. Ndërkohë, në protestën rivale, politikani Farah ka deklaruar se ngjarjet e së shtunës tregojnë se qytetarët britanikë, përfshirë ata që në fillim ishin kundër, tani dëshirojnë largimin nga BE'ja.

“Dhe ky është mesazhi ynë, vazhdoni me planin. Na premtuat që nëse do të votonim pro largimit do të largoheshim dhe kështu duhet të ndodhë”, ka thënë Farah.

Në referendumin e Qershorit të vitit 2016, qytetarët britanikë votuan pro daljes nga Bashkimi Europian, me një shumicë të ngushtë, 51.8 dhe 48.1 për qind. Tani, Mbretëria e Bashkuar duhet të zyrtarizojë largimin më 29 Mars të vitit të ardhshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test