Hesseni: Një test i ri për CDU dhe SPD

Evropë

Hesseni: Një test i ri për CDU dhe SPD

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 14:08
Ilustrim

Gjermania ndodhet të dielën (28.10), sërish para zgjedhjeve të rëndësishme rajonale. Vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve në Landin qendror-perëndimor të Hessenit do të jetë i ndjeshëm për Berlinin.

Pse kanë rëndësi zgjedhjet në landin e Hessenit?

Hesseni është një nga landet me madhësi mesatare të Gjermanisë, me rreth gjashtë milionë banorë. Më tepër i njohur është kryeqyteti i Hessenit, që është si të thuash kryeqyteti ekonomik i Gjermanisë: Frankfurti mbi Main. Zgjedhjet këtë të diel në landin e Hessenit kanë rëndësi, pasi po dolën edhe më dobët se parashikimi kristjandemokratët e CDU-së, që e qeverisin këtë land kjo mund të ketë pasoja për CDU-në si parti. Pra për politikën qendrore gjermane. Për gjashtë javë, CDU-ja ka kongresin federal, ku është radha e zgjedhjes apo rizgjedhjes së kryetares apo kryetarit.

Image
?Bursa e Frankfurt mbi Main

Por pas rezultatit shumë të dobët në zgjedhjet e landit në Bavari para dy javësh, shumë dobët në Hessen nuk duhet të dalin as socialdemokratët. Edhe ata janë në qeverinë qendrore të Berlinit, krahas CDU/CSU. Në qoftë se zgjedhësit në Hessen do të shfrytëzojnë të dielën rastin për të shprehur pakënaqësi me cilësinë e qeverisjes qendrore të Gjermanisë, do të rritet presioni për ndryshime në qeverinë e Berlinit.

Çfarë parashikojnë sondazhet?

Rënie e madhe parashikohet në radhë të parë për CDU-në, më pak për socialdemokratët. CDU-ja pritet të marrë 26 përqind të votave, 12 përqind më pak se pesë vjet më parë. Socialdemokratët pritet të dalin jo larg CDU-së, sondazhet parashikojnë 20 deri 25 përqind. Shumë do të varet nga rezultati i të Gjelbërve. Të Gjelbrit e qeverisin aktualisht me CDU-në Hessenin. Ata thonë se presin rezultatin më të mirë deri tani, rreth 22 përqind. Po morën mbështetje shumë të madhe të Gjelbrit, aq sa të marrin mandatin për formimin e qeverisë, mund të kërkojnë koalicion me socialdemokratët dhe partinë e Majtë. Por edhe po dolën shumë të fortë socialdemokratët, ata mund të kërkojnë koalicion me të Gjelbrit. Kjo do të thotë se edhe po doli partia më e fortë CDU-ja, kjo nuk do të kishte dobi. Dhe llogarinë do ta paguante e gjithë CDU-ja.

Zhvillimi ekonomik dhe partitë në Hessen

Image
Kryeministri i landit të Hessenit, Volker Bouffier

Hesseni mund të konsiderohet histori suksesi për Gjermaninë. Gjendja ekonomike është shumë e mirë, papunësia është e ulët. Njerëzit janë përgjithësisht të kënaqur me kryeministrin aktual të CDU-së, Volker Bouffier. Prej 20 vjetësh po e qeveris CDU-ja me sukses Hessenin. Para kësaj, që pas luftës e deri në fund të viteve 1990 Hessenin e kanë qeverisur, me një përjashtim, socialdemokratët.

Kushtet e përgjithshme në Hessen e favorizojnë vazhdimin e qeverisjes së CDU-së, si partia kryesore në koalicionin me të Gjelbrit. Por këtë vit edhe në Gjermani, zgjedhjet lokale shihen si votë për qeverinë qendrore. Problemi është pakënaqësia me qeverisjen me fërkime, kryesisht mes CDU e CSU në Berlin. Gjermanëve u duket se politikanët merren me veten e tyre dhe jo me problemet e njerëzve.

Edhe socialdemokratët nuk ndihen mirë në qeverinë qendrore, pasi ka vazhduar rënia e mbështetjes për ta. Disa drejtues të socialdemokratëve kanë lënë të kuptohet se mund të dalin nga koalicioni qeveritar i Berlinit, në kërkim të rrugëdaljes për të përmirësuar mbështetjen. Në këtë kuadër sekretarja e përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer i ka shuar për momentin shpresat se socialdemokratët mund të zëvendësohen nga të Gjelbrit si partnerë të CDU/CSU në qeverinë qendrore. Ajo deklaroi se po u shpërbë qeveria aktuale në Berlin (duke nënkuptuar një dalje të socialdemokratëve), ecet drejt zgjedhjeve të reja. 

Humbje e besimit te partitë e mëdha tradicionale  

Image

Rënia e madhe në sondazhe për socialdemokratët (SPD), por edhe për CDU e CSU ka të bëjë me faktorë që lidhen me ndryshime në shoqërinë gjermane. Nga njëra anë ai është fenomen evropian. Largimin nga partitë e qendrës nuk e kemi vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera evropiane. Si në Francë, ku partia e Macronit i bëri të parëndësishëm socialistët dhe republikanët.  Në Itali, ku "5 Yjet" dhe Lega kanë spostuar partitë e tjera. Pjesërisht edhe në Spanjë.  

Nga ana tjetër, në rastin e Gjermanisë, socialdemokratët kanë humbur gjysmën e mbështetjes vetëm brenda pak kohe, në radhë të parë për arsye strukturore. Kanë mesataren më të lartë të moshës te anëtarët e partisë, 60 vjeç. Vëzhguesit thonë se kjo i pengon që të mbështesin politika interesante për të rinjtë. Edhe rihyrja në koalicion me CDU-në i dëmtoi.Te CDU-ja, kancelarja Merkel ende ka mbështetje që do t'ia kishin zili kryeministra të tjerë. Por edhe atje ka njëfarë pakënaqësie,  Kjo u pasqyrua në largimin papritur me votë të kryetarit shumëvjecar të Grupit CDU-CSU në Bundestag, Kauder, pas 13 vjetësh në krye të grupit parlamentar. Në Gjermani po forcohet përshtypja se koha e partive të mëdha popullore ka mbaruar./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat