Merkel e konfirmon: Ky është mandati im i fundit si kancelare e Gjermanisë

Evropë

Merkel e konfirmon: Ky është mandati im i fundit si kancelare e Gjermanisë

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 14:59
Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Angela Merkel tha të hënën se nuk do të kandidojë më për postin e kancelares në vitin 2021 në fund të mandatit aktual, pasi një sërë krizash politike dhe rënia e thellë e mbështetjes për partinë e saj në dy votime rajonale tronditën koalicionin e saj të brishtë. Kancelarja Merkel kishte informuar më parë partinë e saj Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) se do të tërhiqej nga posti i kryetares së partisë në kongresin e saj në dhjetor për t’i hapur rrugën një udhëheqjeje të re.

"Sot është koha për të filluar një kapitull të ri”, u tha ajo gazetarëve në selinë e partisë.

Zonja Merkel i tha partisë së saj konservatore se synon të heqë dorë nga posti i udhëheqëses së partisë por do të vazhdojë të jetë kancelare, pas rënies së mbështetjes së asaj force politike në dy zgjedhje shtetërore, sipas medias.

Më parë zonja Merkel kishte lënë të kuptohej se kishte ndër mend të kërkonte një mandat tjetër dyvjeçar si udhëheqëse e Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU) në një kongres partie në dhjetor, por duket se veproi me shpejtësi në përgjigje të presionit për udhëheqje të re.

Merkel ka drejtuar partinë që nga viti 2000 dhe është kancelare e Gjermanisë që nga viti 2005.

Agjencia gjermane e lajmeve, DPA citonte burime të paidentifikuara të partisë të thonin se kancelarja Merkel tha në një takim të udhëheqjes së CDU-së se është e përgatitur të japë dorëheqjen si kryetare partie, por do të mbajë postin si kancelare. Edhe e përditshmja Bild njoftoi se ajo nuk do të konkurrojë për postin e kryetares së partisë.

Paraardhësi i zonjës Merkel, Gerhard Schroeder dhe dorëheqjen si udhëheqës i socialdemokratëve të së majtës së qendrës në vitin 2004, ndërsa qeveria e tij po përballej me sfida por e mbajti postin e kancelarit. Për vite me radhë zonja Merkel ka këmbëngulur se kancelari duhet të jetë edhe kryetar partie.

Aktualisht zonja Merkel qeveris Gjermaninë me një “koalicion të madh” të partive më të mëdha të vendit: CDU, Bashkimi Kristian-Social dhe socialdemokratët. Mandati i saj i katërt filloi në mars por qeveria e saj ka pasur debate të ashpra të brendshme.

Zhvillimet e të hënës vijnë pasi CDU-ja doli e para, por me humbje mbështetjeje në zgjedhjet në shtetin perëndimor Hesse të dielën, gara e dytë zgjedhore ku pësoi rënie brenda dy javësh për aleancën konservatore të zonjës Merkel.

Tërheqja nga posti i kryetares së partisë do t’i jepte mundësi një personi tjetër nga radhët e CDU-së që të krijojë një profil të vetin para zgjedhjeve të ardhshme kombëtare në vitin 2021.

Sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer është favoritja e zonjës Merkel për ta pasuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat