Kush mund ta pasojë Angela Merkelin në krye të CDU-së?

Evropë

Kush mund ta pasojë Angela Merkelin në krye të CDU-së?

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 10:50
Angela Merkel

Angela Merkel deklaron, se nuk kandidon më për kryetare të CDU-së. Mbetet e hapur, se kush mund ta pasojë atë në këtë post. Kongresi i CDU zhvillohet pas gjashtë javësh në Hamburg.

Angela Merkel nuk do të rikandidojë për kryetare partie në kongresin e CDU-së. Por kush do të pasojë në këtë postë Disa kandidatë konsiderohen si favoritë, ndër ta figura të njohura. Por veçanërisht njëri nga kandidatët konsiderohet suprizues.

Në CDU ka papritur sërish mundësi për ndarjen e posteve. Deklarimi i papritur i Angela Merkelit, se nuk do të kandidojë më për postin e kryetares së partisë, në kongresin e CDU-së në dhjetor, po nxit spekulimet mbi personin që do ta pasojë atë. Deri tani Merkel pati theksuar, se posti i kancelares me atë të kryetarit të partisë janë të pandashëm. 18 vjet Merkel është në krye të CDU-së, 13 vjet ajo është kancelare. Humbjet masive të partisë në zgjedhjet për parlamentin e landit në Hesen, duket se tashmë e kanë bindur Merkelin, që heqja dorë prej pushtetit në CDU mund të ndihmojë në stabilizimin ose madje shpëtimin e qeverisjes së çalë.

"Është koha për një kapitull të ri", tha Merkel të hënën gjatë një konference shtypi, duke deklaruar tërheqjen e saj prej postit më të lartë partiak. Po ashtu ajo deklaroi, se më 2021 nuk do të rikandidojë për kancelare, por do të qëndrojë kancelare deri në fund të kësaj periudhe legjislative. Pas këtij vendimi të Merkelit ka nisur gara për kandidatët e mundshëm në CDU, për ta pasuar atë.

Sekretarja e përgjithshme e CDU-së Kramp-Karrenbauer deklaron kandidaturën

Image
Annegret Kramp-Karrenbauer me Angela Merkelin

E para që paraqiti kandidaturën për drejtimin e partisë ishte sekretarja e përgjithshme e CDU-së, Kramp-Karrenbauer. Të hënën (29.10) në takimin e kryesisë federale të partisë ajo bëri të qartë, se do të kandidojë. Vendimi do të merret në kongresin e partisë në fillim të dhjetorit në Hamburg. Kramp-Karrenbauer konsiderohet si e besuara e kancelares. Ajo deri në shkurt ishte kryeministre në Saarland dhe më pas kaloi në Berlin në postin e sekretares së përgjithshme të CDU-së. Në këtë detyrë ajo u shqua veçanërisht si ndërmjetësuese mes krahëve rivalizuese dhe interesave të ndryshme brenda partisë. Deri tani projekti më i rëndësishëm i saj si sekretare e përgjithshme është hartimi i një programi parimor. Pasi CDU nën kancelaren Angela Merkel ka humbur besimin kryesisht në grupet e zgjedhësve konservatorë e liberal në ekonomi, në këtë program parimor duhet të përcaktohet qartë tipari konservator i CDU-së. Kancelarja Merkel në rast se kryetare e CDU-së do të jetë Kramp-Karrenbauer do të gëzohej, sepse të dyja janë të lidhura miqësisht. Puna mes tyre funksionon mjaft mirë.

Image
Angela Merkel me Jens Spahn

Ndryshe do të jetë nëse drejtimin e CDU-së e merr përsipër ndonjëri nga kandidatët e tjerë. Jens Spahn, aktualisht ministër i Shëndetësisë në qeverinë Merkel, deklaroi gjithashtu, se do të kandidojë. 38-vjeëari konsiderohet prej kohësh si kritik  i Merkelit - dhe si zëdhënës për të gjithë ata në parti, që mendojnë se nën Merkelin CDU-ja ka marrë një profil socialdemokrat. Pikërisht krahu për ekonominë liberale në parti, që prej vitesh e ka ndjerë veten të anashkaluar lidhur me politikën e shpëtimit të Euros dhe krizën e refugjatëve, me një kandidat si Spahn mund të nxisë një kthesë pragmatike në partinë e fundit popullore të Gjermanisë. Edhe pse Spahn është relativisht i ri, atij shumë në parti ia besojnë detyrën e kryetarit. Ai shpesh gjatë debateve kontroverse është dëshmuar i qëndrueshëm. Nisur nga kandidatura e paraqitur nga Kramp-Karrenbauer dhe Spahn, Merkel tha: "Unë e konsideroj këtë si një fazë të mirë dhe të rëndësishme, gjatë së cilës partia mund të fitojë sigurinë në vetvete."

Kandidati i surprizës: A do ta shpëtojë Friedrich Merz profilin konservator të CDU-së?

Pak ose pothuajse aspak nuk dinte kancelarja Merkel për një tjetër kandidaturë të mundshme për pasues të saj në krye të partisë. "Lidhur me këtë nuk mund të them asgjë të sigurt", u përgjigj Merkel pas pyetjes së gazetarëve, nëse ka dëgjuar për kandidaturën e Friedrich Merz. 62 vjeçari jurist dhe ekspert financash, Friedrich Merz para shumë vitesh u shkëput nga Gjermania dhe konsiderohej si kritik gjuhëmprehtë i Merkelit.  Merz në vitet 2000 deri më 2002 kryesonte grupin parlamentar të CDU-së dhe CSU-së - derisa Merkel e spostoi atë nga ky post. Shumë vëzhgues e konsiderojnë Merzin si figurën drejtuese të konservatorëve në parti. Merz e konfirmoi para gazetarëve gatishmërinë e tij për të kandiduar.  Që nga viti 2009 Merz është kryetar i "Rrjetit Ura-Atlantik".

Image
Friedrich Merz me Angela Merkel

Këta janë tre ndër favoritët që e kanë shprehur hapur, se duan të kandidojnë për të pasuar kancelaren Merkel në postin e kryetares së partisë. Ndërkohë në Berlin qarkullojnë edhe emra të tjerë si Armin Laschet, aktualisht kryeministër në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW). Edhe Laschet konsiderohet si pasues i mundshëm i Merkelit. Ai prej vitesh shprehet edhe për aleancë mes CDU-së dhe ekologjistëve, edhe pse ndërkohë qeveris në NRW në koalicion me liberalët. Disa komentatorë konsiderojnë edhe Wolfgang Schäuble, një ndër figurat më solide të CDU-së si kandidatin e duhur. Schäuble, që është aktualisht president i Bundestagut, ka qenë për shumë vite ministër i Financave dhe i Brendshëm. Zgjedhja e tij kryetar partie do të ishte një sinjal për vazhdimësinë në CDU më shumë se sa sinjal për fillim të ri. Nëse ai do të kandidojë, kjo nuk është ende e qartë. Se edhe sa kandidatë mund të paraqiten nga rajonet deri në kongresin e partisë, kjo ende nuk është e qartë. Mbeten edhe gjashtë javë deri atëherë e me siguri që do të spekulohet edhe për shumë emra të tjerë./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat