Rusia vendos sanksione të gjera kundër Ukrainës

Evropë

Rusia vendos sanksione të gjera kundër Ukrainës

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 19:49
Presidenti rus, Vladimir Putin

Rusia ka vendosur sanksione të gjera financiare ndaj 322 anëtarëve të elitës ukrainase dhe 68 kompanive në pronësi të biznesmenëve të njohur ukrainas.

Në mesin e personave në shënjestër të sanksioneve janë:

djali i Presidentit Petro Poroshenko, Oleksiy

ministri i Brendshëm Arsen Avakov

shefi i Shërbimit të Sigurisë Vasyl Hrytsak

zëvendës kryeministrja Ivanna Klympush-Tsintsadze

biznesmeni Viktor Pinchuk

ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko

ish-kryeministri Arseniy Yatsenyuk

ish-kreu i Grupit Ultranacionalist i Sektorit të Djathtë Dmytro Yarosh

Sanksionet u njoftuan me një dekret të nënshkruar nga kryeministri Dmitri Medvedev, botuar në faqen e internetit të qeverisë më 1 nëntor.

Në dekret thuhet se qëllimi i masës është "kundërvënia ndaj aktiviteteve jo miqësore të Ukrainës ndaj shtetasve dhe subjekteve ruse si dhe normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe".

Në listën e sansioneve përfshihen gjithashtu:

sekretari i Këshillit për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen Oleksandr Turchynov

ministri i Mbrojtjes Stepan Poltorak

zëvendësministri i Mbrojtjes Anatoliy Petrenko

shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Viktor Muzhenko

nënkryetarja e parlamentit Iryna Herashchenko

udhëheqësi veteran i Tartarëve të Krimesë Mustafa Dzhemilev

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pronave në territorin e Rusisë. Ndër të prekurit janë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës, ligjvënës, oligarkë, punonjës të zyrës presidenciale, zyrtarë qeveritarë dhe kompani të mëdha ukrainase.

Në një reagim lidhur me sanksionet Presidenti ukrainas Petro Poroshenko e krahasoi të qenurin në listën e sanksioneve ruse me marrjen e një shpërblimi dhe shtoi se Moska në vend që të kërcënojë duhet të tërheqë trupat dhe armatimet nga territori ukrainas.

"Në Ukrainë, të jesh në këtë listë është si të kesh marrë një çmim shtetëror, të paktën ky është perceptimi" u tha zoti Poroshenko gazetarëve gjatë një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel. "Ata që nuk e kanë emrin në listë janë ndjerë shumë të ofenduar", tha ai.

Masa e kryeministrit rus Medvedev vjen 10 ditë pasi presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që përgatiti terrenin për "masa të posaçme ekonomike" kundër Ukrainës, duke udhëzuar qeverinë të hartojë një listë të firmave dhe individëve në shënjestër të sanksioneve ekonomike.

Në dekretin e presidentit Putin të 22 tetorit, thuhet se masa ndëshkuese mund të anulohen nëse Ukraina heq të gjitha kufizimet që ka imponuar ndaj qytetarëve dhe kompanive ruse.

Ukraina ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka vendosur sanksione ndaj biznesmenëve, kompanive dhe organizmave të tjera ruse si përgjigje ndaj konfiskimit të gadishullit të Krimesë nga Moska në marsin e 2014 dhe mbështetjes që ajo u jep separatistëve të armatosur në Ukrainën lindore.

Më 23 tetor, zoti Medvedev njoftoi se Moska po përgatiste sanksione që do të ndalonin importin e disa produkteve ukrahinase në Rusi. Ai nuk specifikon se për çfarë produktesh bëhej fjalë.

Në muajin qershor zoti Putin nënshkroi një ligj për t’u hakmarrë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat