Franca: “Lufta e Ftohtë” SHBA-Kinë po rritet

Evropë

Franca: “Lufta e Ftohtë” SHBA-Kinë po rritet

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 19:15
Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire.

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire ka bërë thirrje të premten për përfundim të “Luftës së Ftohtë në tregti” në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, duke paralajmëruar se bota është vetëm një hap larg shkatërrimit global në aspektin tregtar.

“Sot po përballemi me Luftë të Ftohtë në tregti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, e cila është e rrezikshme për ekonominë tonë, rritjen dhe vendet e punës. Duhet ta tejkalojmë atë”, ka thënë Le Maire në një konferencë në Paris kushtuar reformimit të sistemit tregtar global.

Sipas tij, vënia e tarifave në mënyrë reciproke është kërcënim për nxitje të “luftës tregtare dhe “vetëvrasje ekonomike për gjithë botën”.

“Do të ketë vetëm humbës në luftën ekonomike”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për reformim të Organizatës Botërore për Tregti (OBT).

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Tregti, Cecilia Malmstrom, i ka bërë thirrje Kinës për t’iu bashkuar përpjekjeve për reformim të OBT-së.

“Kina ka fituar shumë nga ky sistem i kësaj Organizate”, ka thënë ajo duke i bërë thirrje Pekinit “të bashkohet në përpjekjet për reformim të sistemit dhe të krijojë një nivel tjetër të lojës”.

Reformat në OBT pritet të jenë një ndër çështjet kyçe të diskutimit në samitin e liderëve të G20-ës, që mbledh vendet më të zhvilluara këtë vit në fund të muajit nëntor në Argjentinë.

Tarifat e ashpra të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në importet kineze dhe në disa pjesë evropiane të automjeteve, kanë nxitur masa hakmarrëse nga ana e Pekinit dhe kanë ngritur nevojën urgjente të diskutimit të tyre. Përveç tjerash, presidenti Trump ka kërcënuar edhe me tërheqje të SHBA-së nga kjo Organizatë nëse nuk “reformohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat