Qeveria franceze, bisedime për krizën. Bilanci: 263 të lënduar, 412 të arrestuar

Evropë

Qeveria franceze, bisedime për krizën. Bilanci: 263 të lënduar, 412 të arrestuar

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 10:14
Francë

Kryeministri francez, Edouard Philippe zhvillon bisedime me krerët e partisë këtë të hënë, teksa Parisi duket në vështirësi për të dhënë një përgjigje ndaj dhunës së ushtruar prej protestuesve antiqeveritarë, që shkaktoi qindra të plagosur në mbarë vendin dhe shkatërrim masiv përreth kryeqytetit francez.

Bisedimet vijnë pas një takimi mbi krizën të kryesuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, ditën e diel, kur vëzhgoi shkatërrimin e lënë pas, në fundin e një dite trazirash të dhunshme anembanë Parisit, që përjetoi dhunën “e një niveli të paparë në dekada të tëra”.

Philippe i është kërkuar të takohet me organizatorët e protestave dhe udhëheqësit partiakë, si pjesë e “dëshirës së vazhdueshme për dialog”, u njoftua më pas nga Pallati i Elizesë.

Ministri i Mjedisit, Francos de Rugy u takua me përfaqësues të të ashtuquajturve “jelekët e verdhë” gjatë javës së kaluar, por dështoi t’i bindte ata t’u jepnin fund demonstratave që po zhvillohen prej afro dy javësh tashmë.

Qeveria nuk e ka përjashtuar vendosjen e gjendjes së emergjencës për të shuar protestat, që nisën për shkak të rritjes së taksave të naftës, por që shumë shpejt u transformuan në një front më të gjerë kundër Macronit, një president 40-vjeçar i qendrës dhe probiznesit, i zgjedhur në maj të vitit 2017.

Presidenti vlerësoi të dielën dëmet e shkaktuara në Harkun e Triumfit, monumenti masiv i të rënëve të luftës në Francë, që ndodhet në krye të sheshit “Champs Elysees”, ku demonstruesit vizatuan grafite të ndryshme dhe shkatërruan zonat e pritjes dhe biletave.

Më në brendësi, protestuesit prishën edhe fytyrën ikonë të një skulpture, një riprodhim i pjesshëm i “La Marseillaise” nga Francois Rude.

Macron vështroi edhe shkatërrimin e lënë pas nga automjetet e djegura dhe ndërtesat e dëmtuara, në vende të tjera, teksa ai lavdëroi policinë por u vërshëllye nga seksione të tëra të turmës.

Policia e Parisit njoftoi për 412 të arrestuar gjatë së shtunës, gjatë përplasjeve më të dhunshme ndër vite në kryeqytetin francez, ndërsa 378 prej tyre mbeten ende në paraburgim. Sipas shefit të policisë së Parisit, Michel Delpuech, dhuna e paparë ndër dekada ka shkaktuar plagosjen e 263 njerëzve, përfshi 133 në kryeqytet, 23 prej të cilëve pjesëtarë të forcave të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat