Ndizen dritat në Vatikan

Evropë

Ndizen dritat në Vatikan

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 11:52
Ndizen dritat në Vatikan

Vatikani inauguron sot çeljen zyrtare të festave të fundvitit. Në sheshin e "Shën Pjetrit" pranë Selisë së Shenjtë është pozicionuar skulptura e skenës së lindjes së Krishtit e pema e Vitit të Ri, e cila do të ndezë dritat, duke shënuar nisjen e festimeve tradicionale të Krishtlindjeve.

Sipas traditës, çdo vit pema e Krishtlindjeve në Vatikan është një dhuratë që i bëhet Selisë së Shenjtë nga qytete apo dioqeza të ndryshme të botës.

Sivjet kjo pemë është dhuratë nga rajoni i Friuli Venezia Giulia e nga dioqeza e komunës së Pordenones, kërkesa e të cilëve u pranua pas dhjetë vite pritje.

Ishte viti 2008, kur ky rajon u fut në listën e pritjes për një dhuratë kaq simbolike e të rëndësishme për Vatikanin.

Pema e zgjedhur nga ky rajon e që sot zbukuron sheshin "Shën Pjetri" është një pishë e kuqe 70 vjeçare e marrë nga pyjet e Cansiglios. Pema peshon 3 ton, është e lartë 21 metra e ka një diametër baze që shkon deri 10 metra.

Për të udhëtuar nga rajoni i Friuli Venezia Giulia, pema ka udhëtuar dy ditë e një natë dhe ka mbërritur shëndetshëm në sheshin "Shën Pjetri". Pranë pemës së Krishtilindjeve në këtë shesh është pozicionuar dhe skulptura e skenës tradicionale të lindjes e Krishtit.

Realizimi i saj është dhuratë nga komuna e Jesolo e nga Patriarku i Venecias. Vepra është një krijim i katër skulptorëve të huaj; holandezes Susanne Ruseler, skulptorit çek Radovan Zivny, rusit Ilya Filimontsev, koordinuar nga skulptori amerikan Varanao.

Kjo skulpturë e titulluar "Sand Nativity" është e realizuar e gjitha me rërën e marrë nga plazhi i Jesolos. Për krijimin e saj janë përdorur mbi 700 ton rërë e 4 skulptorët kanë punuar mbi 14 ditë në sheshin e "Shën Pjetrit".

Skulptura e rërës e cila shfaq skenën e lindjes së Krishtit ka një sipërfaqe prej 25 metra katorë, me një bazoreliev prej 16 metrash e një lartësi mbi 5 metra. Këtë skulpturë Papa Françesku pritet ta vizitojë natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor, pas meshës Te Deum.

Festat e fundvitit janë çelur dhe në Romë me pemën tradicionale të pozicionuar në sheshin e Venecias. Sivjet kjo pemë është një bredh origjinal i mbërritur nga kumuna e Cittiglios në provincën e Varezes. Bredhi është i lartë 20 metra dhe është i sponsorizuar nga Netlfix që e ka zbukuruar me mbi 60 mijë drita e 500 sfera shumëngjyrëshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat