Gjykata Evropiane vendos: Britania mund ta anulojë Brexitin

Evropë

Gjykata Evropiane vendos: Britania mund ta anulojë Brexitin

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 11:41
Ilustrim

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim të hënën se Qeveria britanike mund të tërheqë njëanshëm vendimin për t’u larguar nga blloku evropian, pa u konsultuar me shtetet tjera anëtare.

Në një vendim urgjent të bërë publik një ditë para se Parlamenti britanik të votojë marrëveshjen për Brexit, të arritur nga kryeministrja britanike, Theresa May me Bashkimin Evropian, Gjykata e Drejtësisë ka thënë: Mbretëria e Bashkuar është e lirë për të tërhequr njëanshëm njoftimin për largim nga Bashkimi Evropian.

Ky vendim është në linjë me një opinion të një zyrtari të lartë ligjor, Campos Sanchez-Bordona, që është bërë publik javën e kaluar. Komentet e tij nuk janë të detyrueshme, mirëpo gjykata zakonisht ka tendencë të dëgjojë këshillat e tij në shumicën e rasteve.

Image
Campos Sanchez - Bordona

Campos Sanchez-Bordona ka thënë se sipas mendimit të tij, nëse një shtet vendosë të largohet nga BE-ja, duhet të ketë fuqi për të ndryshuar mendjen në procesin dyvjeçar të largimit, të specifikuar në Artikullin 50 të Traktatit të BE-së.

Mirëpo ai po ashtu ka thënë se tërheqja e vendimit duhet të jetë subjet i “kushteve të veçanta dhe disa kufizimeve”.

Me këtë ai ka nënkuptuar se tërheqja duhet të bëhet përmes një vendimi parlamentar dhe “duke respektuar parimet e besimit të mirë dhe bashkëpunimit të sinqertë, ashtu që të parandalohet abuzimi i procedurave”.

Expose: Brexit-i: Ndodh, nuk ndodh...

Ky vendim ka rritur shpresat e kundërshtarëve të Brexitit për mbajtje të një referendumi të ri, çka sipas tyre do të parandalojë largimin e Britanisë nga BE-ja më 29 mars të vitit 2019.

Kryeministrja britanike përballet me kundërshti të mëdha në parlament rreth planit të saj për Brexit dhe disa madje besojnë se plani i saj nuk do të kalojë, çka do të tensiononte edhe më shumë bisedimet me BE-në kur ajo të takohet të enjten me liderët e BE-së në Bruksel.

Britania e Madhe duhet të largohet nga BE-ja më 29 mars të vitit të ardhshëm, por marrëveshja e negociuar me BE-në duhet të mbështetet nga deputetët e shumicës në Parlamentin britanik, për të hyrë në fuqi.

May ka argumentar se marrëveshja e saj do të ofrojë lidhje të ngushta ekonomike me BE-në dhe do t’i mundësojë Britanisë të tregtojë lirshëm me pjesën tjetër të botës, duke i përmbushur kërkesat e votuesve për Brexit për t'i dhënë fund lëvizjes së lirë dhe për të zvogëluar imigracionin në Britani.

Megjithatë, kjo marrëveshje ka rezultuar me dorëheqjen e disa ministrave të kabinetit të saj dhe ka rebeluar ligjvënës edhe të partisë së Mayt, Tory.

May dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se, nëse Parlamenti britanik voton kundër marrëveshjes, Britania rrezikon të përballet me Brexit pa marrëveshje.

Në këtë rast, lidhjet ligjore, të sigurisë dhe ekonomike të Britanisë me BE-në mund të shkëputen më 29 mars, 2019, potencialisht duke ndërprerë fluturime, duke lënë migrantët pa të drejta dhe duke bllokuar mallra në kufij.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat