KE paralajmëron Italinë: Korrigjo shpejt buxhetin, ose prit ndëshkimin!

Evropë

KE paralajmëron Italinë: Korrigjo shpejt buxhetin, ose prit ndëshkimin!

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 06:52
Valdis Dombrovskis

Nënpresidenti i Komisionit Evropian paralajmëroi qeverinë italiane të hënën se i kishte mbetur pak kohë për të ndryshuar buxhetin e saj ekspansionist të 2019-ës dhe për të shmangur procedurën disiplinore të BE-së.

“Koha është shumë e kufizuar”, tha Valdis Dombrovskis para ligjvënësve të BE gjatë një seance dëgjimore të parlamentit të Bashkimit Europian në Strasburg, duke kërkuar ndryshime “substanciale”.

Kryeministri italian Giuseppe Conte do të takohet të mërkurën me presidentin e komisionit Jean-Claude Juncker, në përpjekje për të shmangur procedurën që do ta mbante Italinë nën presion të zgjatur të tregut dhe mund të çonte në gjoba, shkurtime të fondeve të BE-së dhe sanksione të tjera financiare.

Rekomandimi i komisionit mund të vijë javën e ardhshme, nëse nuk arrihet në një kompromis me Romën, çka nënkupton se ministrat e financave të BE-së mund të miratojnë procedurën disiplinore deri në shkurt.

“Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapat e ardhshme, nëse bisedimet nuk janë të suksesshme dhe nuk arrijmë kompromis me Romën”, tha Dombrovskis.

Në të njëjtën seancë, komisioneri i çështjeve ekonomike të BE, Pierre Moscovici tha se dialogu me Italinë ishte përmirësuar gjatë ditëve të fundit.

Por ai i kujtoi Romës se Komisioni gjithsesi ishte duke vazhduar përgatitjet për procedurën e mundshme disiplinore, nëse ndryshimet në buxhet ishin të pamjaftueshme.

Qeveria anti-establishment e Italisë ka miratuar një buxhet me një defiçit të përgjithshëm prej 2.4 përqind të prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2019, duke rritur shpenzimet e mirëqenies dhe uljen e moshës së daljes në pension, por në vlerësimet ekzekutive të BE-së, nuk ulin borxhin e saj të madh, siç kërkohet nga rregullat e unionit.

Roma në javët e fundit ka treguar gatishmëri për të reduktuar objektivin e deficitit. Por mbetet e paqartë se sa ka në plan të shkojë dhe nëse komisioni dhe shtetet e tjera të BE-së do të gjejnë amendamente të mjaftueshme për të ulur borxhin publik në rreth 130 përqind të PBB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat